A ndikon hëna e plotë në mirëqenien tonë fizike dhe mendore?

Te vepra e Shekspirit “Otello”, shërbyesja Emilia i thotë Otellos se hëna është afruar shumë me Tokën dhe i ka çmendur njerëzit. Ideja se hëna e plotë mund të nxisë emocione, të provokojë sjellje të çuditshme dhe madje të shkaktojë sëmundje fizike nuk është e pranishme vetëm në letërsi.

Në fakt, është një besim i mbajtur fort, edhe në ditët e sotme. Që në vitin 400 para Lindjes së Krishtit, mjekët dhe filozofët fajësuan hënën për ndryshimet e sjelljes. Fjala “lunatic” (person me probleme të shëndetit mendor) lindi nga ideja se ndryshimet mendore kishin të bënin me ciklin e hënës.

Hëna e plotë dhe gjumi

Kur hëna është e plotë dhe e ndritshme, kjo mund të ndikojë në cilësinë e gjumit tuaj. Në një studim të vitit 2014, ekspertët vunë re se gjatë hënës së plotë njerëzit kishin gjumë më pak të thellë. Po kështu, duhej më shumë kohë që truri të kalonte në fazën e gjumit. Një studim i vitit 2015 zbuloi se hëna e plotë mund të ndikojë ndryshe te meshkujt dhe femrat. Femrat flenë më pak kur hëna është e plotë, ndërsa për meshkujt është e kundërta.

Megjithatë, jo të gjithë studimet bien dakord me idenë se ciklet hënore ndikojnë te gjumi. Vëzhgime të tjera nuk kanë gjetur ndonjë lidhje të fortë.

Hëna e plotë dhe sistemi kardiovaksular

Kur hëna i afrohet Tokës, tërheqja gravitacionale ndryshon dhe ndodhin batica të larta. Shkencëtarët janë mundur të zbulojnë nëse ndryshimi i tërheqjes gravitacionale mund të ndikojë të reagimin e lëngjeve brenda trupit. Mund të ndikojë te presioni i gjakut?

Në një studim të vitit 2013 në lidhje me disa studentë meshkuj, studiuesit matën efektet e ndryshimit të cikleve hënore në sistemet kardiovaskulare të pjesëmarrësve. Në këtë studim, ekspertët arritën në përfundimin se njerëzit ishin më efikas fizikisht gjatë hënave të plota. Sidoqoftë, ky studim bie ndesh disi me hulumtimet e tjera – duke përfshirë një studim të vitit 2020 për atletët meshkuj i cili nuk gjeti ndonjë ndryshim të rëndësishëm në performancën atletike gjatë fazave të ndryshme të hënës.

Hëna e plotë, gjendja shpirtërore dhe shëndeti mendor

Trupi i njeriut është i përshtatur me ekspozimin ndaj dritës së diellit dhe errësirës. Kjo ka çuar në zhvillimin e ritmeve cirkadiane që prekin shumë nga sistemet e trupit tuaj. Ritmet cirkadiane – procese biologjike, që përsëriten natyrshëm në një cikël njëzet e katër orësh, edhe në mungesë të luhatjeve të dritës. Ritmet cirkadiane ndikojnë gjithashtu në shëndetin tuaj fizik dhe mendor. Por përdorimi i gjerë i dritës elektrike do të thotë që shumë nga ritmet tuaja cirkadiane po përshtaten me modelet e reja të dritës dhe errësirës. Kështu mund të përkeqësohet simptomat e:

  • ankthit
  • çrregullimit bipolar
  • depresionit
  • skizofrenisë

Por a e ka hëna e plotë fuqinë që të ndryshojë humorin dhe shëndetin mendor? Provat mbizotëruese shkencore thonë që jo. Në një studim të vitit 2017, u analizuan të dhënat e dhomave të urgjencës në një spital me 140 shtretër dhe nuk u vu re ndonjë rritje e rasteve. Studime të tjera nuk kanë parë ndonjë lidhje mes hënës së plotë dhe rritjes së numrit të vizitave nëpër spitalet psikiatrike.

Ata me çrregullime bipolare mund të preken

Ekziston një përjashtim i dukshëm nga ky përfundim i përgjithshëm. Studiuesit kanë zbuluar se çrregullimi bipolar mund të ndikohet nga ndryshimet në ciklin hënor. Konkretisht, një studim i vitit 2018 ekzaminoi 17 njerëz, çrregullimi bipolar i të cilëve tentonte të kalonte shpejt në depression dhe në mani. Studimi tregoi që stimuluesi kardiak (një grup i vogël nervash) te këta individë u sinkronizua me modelet hënore. Kjo shkaktoi ndryshime në gjumin e tyre që më pas shkaktoi një zhvendosje nga simptomat e depresionit në simptomat e manisë.

Hëna e plotë, dhuna, agresioni, trauma dhe vetëvrasja

Për dekada, ndoshta edhe me shekuj, njerëzit kanë këmbëngulur se ka më shumë dhunë, agresion, trauma dhe vetëvrasje gjatë hënës së plotë. Studimet shkencore nuk kanë parë ndonjë lidhje mes hënës së plotë dhe rasteve të mësipërme.

Hëna dhe ciklet menstruale

Hënës i duhet afërsisht një muaj për të orbituar Tokën. Meqenëse ciklet menstruale kanë afërsisht të njëjtën gjatësi, njerëzit kanë bërë një lidhje midis hënës dhe efekteve të saj në periudhat menstruale. Megjithatë studimet nuk gjejnë ndonjë lidhje.

Konkluzione të pasakta

Shembull: Nëse vizitoni Parisin dhe përjetoni dy takime të pakëndshme me dy parizienë të pasjellshëm, mund të largoheni duke menduar se ata janë njerëz të vrazhdë. Duke arritur në këtë përfundim, ju anashkaloni ndodhitë pozitive. E njëjta gjë edhe me përvojat traumatike gjatë hënës së plotë. Në mënyrë të ngjashme, duke dëgjuar mitet mbi hënën, njerëzit priren që një incident të ndodhur gjatë hënës së re ta mbajnë mend.

Përmbledhje

Për shkak se ciklet e hënës dihet se ndikojnë te fenomenet natyrore si baticat, disa kultura kanë zhvilluar një besim të vazhdueshëm – por kryesisht të pasaktë – se fazat hënore gjithashtu ndikojnë te emocionet, sjelljet dhe shëndeti i njeriut. Për pjesën më të madhe, një hënë e plotë nuk i bën njerëzit më agresivë, më të dhunshëm dhe më të dëshpëruar. Megjithatë duket se ekziston një lidhje mes cikleve të hënës dhe ndryshimeve në simptomat e çrregullimit bipolar. Sidoqoftë, studimet në lidhje me ndikimin në sistemin fiziologjik dhe psikologjik të njeriut vazhdojnë ende. Për momentin, efekti i hënës në trupin e njeriut është shumë më pak i fuqishëm nga çfarë mendohej dikur./anabel/