Aktakuzë ndaj të dyshuarit për dhunimin e të miturës

Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, ka ngritur aktakuzë, ndaj të pandehurit M.K., për shkak të veprës penale ‘’Dhunimi’’, nga neni 227 paragrafi 4 nën paragrafi 4.8 lidhur me paragrafin 1, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas aktakuzës, i pandehuri M.K., më 14 nëntor 2019, ka dhunuar të dëmtuarën e mitur, në atë mënyrë që fillimisht e takon të njëjtën në fshatin Rogoçicë komuna e Kamenicës, aty bisedojnë, ku e kanos se do ta mbysë, do t’ia vrasë vëllain dhe e detyron që të ecë në këmbë drejt shtëpisë së saj, me ç’rast me përdorimin e forcës e fut mbrapa në veturën e tij dhe vazhdojnë rrugën në drejtim të një moteli në Gjilan, ku duke e shfrytëzuar pozitën e saj të ndjeshme dhe të pambrojtur, e ka detyruar që të kryejë marrëdhënie seksuale, pa dëshirën e saj.

Prokurori i çështjes, me rastin e ngritjes së aktakuzës ka kërkuar nga Gjykata kompetente në Gjilan, që të pandehurin ta shpallë fajtor për këtë vepër penale, thuhet në njoftimin nga Prokuroria Themelore në Gjilan.