Dy çështjet në krye të vendit

Myzejene Selmani

Debati në Parlamentin e Kosovës rreth mos aplikimeve për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare vazhdon të jetë një histori e vjetër e përplasjes midis forcave politike në Kuvendin e Kosovës.

Realisht të gjitha partitë politike që kanë shijuar majen e pushtetit këto vitet e fundit i ka përcjellë i njëjti problem. Thjesht vendi nuk ka pasur ndonjë fuqi reale për të siguruar votat e nevojshme për anëtarësim.

Por ky duhet të jetë një alarm për mobilizim i të gjithë spektrit politik të vendit, pavarësisht ngjyrimeve politike kur është fjala për interesat nacionale dhe jo sa për ta përdorur atë si një kartë për të goditur njëri-tjetrin.

Kosova duhet të bëjë më shumë përpjekje për njohje të reja për të siguruar vota për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare.

Ndërkohë që duhet të insistojë sa më shumë dhe të argumentojë se pa njohje reciproke nuk mund të ketë funksionalizim të mini Shengenit.

Pjesëmarja e Kosovës në mini Shengen në kushtet aktuale do të kishte impakt negativ për vendin. Madje edhe disa vende të rajonit që tani janë pjesë e BE janë duke shfaqur shqetësime rreth efektit që mund të kenë në ekonominë e vendeve të tyre.

Analistë serbë e kanë vlerësuar mini Shengenin si një hap pozitiv duke thënë se me këtë plan do të vendosnin kontroll mbi tërë Kosovën.

Ndërkohë që ekonomia e vendit do të kollapsonte. Asnjë ndihmë dhe asnjë kredi nuk do ta nxirrte nga kriza vendin.

Kosova nuk ka nevojë të nxjerrë ligje as rregullore për mini Shengenin, por thjesht duhet të kërkojë njohje nga Serbia para se të funksionalizohet.