Emrat e rrugëve dhe lagjeve në qytetin e Gjilanit po vazhdojnë të përdoren gabimisht

Emrat e rrugëve dhe lagjeve po përdoren gabimisht jo vetëm nga qytetarët, por edhe nga institucionet, shkruan gazeta online Mediafokus.info

Ka raste kur një rrugë emërtohet në shkresa të ndryshme, edhe me emrat e mëhershëm, po ka raste kur përdoren emra që nuk ekzistojnë prej 21 vitesh e këndej.

Nëse qytetarët edhe mund të ‘arsyetohen’ deri diku kur përdorin emërtimet e vjetra, sepse mund edhe të jenë ngulitur në kujtesën e tyre, përdorimi i gabuar i emrave të rrugëve nga institucionet dhe organet tjera shtetërore, nuk arsyetohet kurrsesi.

Sidomos policia e Kosovës po vazhdon të përdorë emërtime të pasakta.

Vrasja e 19-vjeçarit u raportua si rast i ndodhur në rrugën “Gjon Sereqi”, ndërsa e vërteta është se rruga quhet “Raif Halimi”.

Rruga “Gjon Sereqi” ndodhet larg rrugës “Raif Halimi” ku ka ndodhur rasti, të paktën një kilometër.

Edhe rasti i mëhershëm i vrasjes së pesëfishtë u raportua të ketë ndodhur në rrugën ‘Bujanina’, ndërkaq zyrtarisht rruga quhet “Xhevat Ajvazi”.

Policia duhet të jetë më e kujdesshme te shënimi i vendit ku ndodh një rast, çfarëdo qoftë ai, e sidomos kur bëhet fjalë për një skenë krimi, sepse të dhënat e njëjta barten pastaj në dosjen e prokurorisë dhe të gjykatës.

Për të qenë të saktë nuk duhet shumë mund, sepse emërtimet janë standardizuar tashmë, janë vënë edhe tabelat nëpër rrugë, lagje e sheshe, madje edhe në fshatra dhe mjafton vetëm të shikohen ato.

Gabime te emërtimet bëhen edhe nga posta, kompanitë publike, mediat, madje edhe nga drejtoritë komunale.

“Lagjja tetë”, “lagjja e dytë” dhe disa emërtime të tjera që hasen në përdorim, nuk kanë ekzistuar kurrë zyrtarisht. /Mediafokus.info/