Ju hajeni njëri-tjetrin derisa t’ju hanë të tjerët

Izmi Zeka

Kosova ime e dashur a mbeti njeri në këtë hartë gjeografike pa u sharë, etiketuar dhe i pastër. A mbeti dikush që nuk tradhtoi, nuk vrau e nuk e shiti Kosovën pas luftës çlirimtare.

A ka njeri në këtë vend që di dhe mundet të ndryshojë këtë farë koncepti të shpifur dhe shkatërrues për vetë shqiptarët në përgjithësi?

Këtu tek ne të gjithë janë kriminelë, hajna, vrasës, pazarxhinjë. E shihni ku kemi mbërritur. Asgjë nuk është më morale as njerëzore. Këtu ne thyejmë brirët mes vete në një shtet fëmijëror që ka vetëm 12 vite moshë.

Shqiptari për shqiptarin është armik e i shitur e marrëzira tjera. Elita intelektuale është strehuar në një kënd dhe vetëm bënë sehir. Edhe kjo është marrëzi.

Luftë pa zgjedhur mjete as gjuhë, si në kohën e barbarëve, jemi duke bërë duke e katandisur këtë popull të mjerë e të robëruar me shekuj.

Sapo hap televizionin apo portale të ndryshme, asgjë nuk shihet për të mirë.

Ky është mallkim që duket se na ka bërë Zoti edhe pse nuk jam ndonjë fetar i apasionuar. Besimi im është në kulturë, jetë, mirëqenie dhe fuqi mbinatyrore.

Mallkimi nuk është koncept shkencor as edhe doktrinë e artikuluar qartë dhe shprehimisht që preket.

Pse po na mbytni shpresën që shekujt e bartën deri sot. A nuk u ngopët me dhimbje e vrasje nëpër kohëra të ndryshme, a nuk mësuat nga të tjerët se jeta nuk është mallkim, por art, mendje dhe zhvillim.

Pse more ju që po thirreni në libra, shkencë nuk mësuat për së mbari për të qeverisur një popull që ka ide se si duhet të shihet zhvillimi dhe integrimi politik e kombëtar i Kosovës.

A e dini se jemi lodhur nga pafytyrësia dhe sharja, fyerja dhe nga ata që ju po i quani tradhtarë, të shitur, oligarkë, matrapazë e edhe shërbëtorë të të huajve.

Mos na helmoni rininë tonë me inate të mentalitetit ballkanik apo me luftë prej bajraktarësh. Nuk ua kemi borxh që ta mbytni ende pa lindur shpresën e rinisë.

Mos i helmoni me urrejtje edhe për gjenezës së tyre.

E shihni more të mjerë ku kanë ecur popujt, si janë zhvilluar, çfarë kulture njerëzore kanë dhe çfarë formësimi dhe shteti demokratik kanë.

A nuk mësuat nga historia e përplasjeve shekullore brenda shqiptare. A nuk mësuat nga gjenocidi serb që u bë mbi shqiptarët mbi një shekull.

Nëse nuk iu besoni shqiptarëve, merrni e lexoni Dimitrije Tucoviqin ai u shpjegon çfarë kanë bërë serbët në kohën e luftërave ballkanike të fillim shekullit XX.

Ju nuk i besoni vetes tuaj as edhe luftës së fundit që ishte për mbijetesë dhe shtet, as edhe vrasjeve dhe gjenocidit nga regjimi i egër serb që bëri në Kosovë.

As edhe mbi 15 mijë të vrarë, as edhe mbi 20 mijë nëna e motra tona të dhunuara.

Për ju shteti është mekanizëm për të justifikuar ekzistencën tuaj qoftë në pushtet apo opozitë.

Ju që hidhni vrerë mëngjes e mbrëmje pa u ndalur, po ua merrni të drejtën qytetare të gjithëve pa dallime, popullit të mirë e të lodhur nga helmi që po shfaqni ju.

A mund ta dalloni sakrificën për atdhe me shtet-bërjen dhe zhvillimin shtetëror të Kosovës. Dy koncepte që kanë ndërlidhje historike e ku e ndihmojnë njëra tjetrën.

A mos keni nevojë shpirtërore me filluar luftë kaçakësh, apo bajraktarësh.

Ikni ju lutem të gjithë pa përjashtim. Bënë edhe pa juve. Shteti ka nevojë për dije, eksperiencë dhe vendimmarrje.

Të dobëtit e kanë arrogancën, kurse të meçurit e kanë lapsin që i jep dritë shtetit dhe integrimit të saj në botën e qytetëruar.

Ju edhe mund të shani në emër të patriotizmit folklorik, ju mund edhe të shpikni tradhtarë brenda ditës e që si përfundim po sjell luftë brenda llojit dhe po e arsyeton Evropën e cila dikur ju e dini si na cilësonin.

Kosova ime e dashur nuk mësova nga dhimbja jote as edhe nga gjaku i derdhur rrëke me dekada.

A nuk po ke dhimbje që të bënë copa-copa që nga kongresi i Berlinit e deri më sot.

Dilni dhe bërtitni urra po vritet tradhtia. Dilni bërtitni se po dënohen heronjtë që shkoni e përkulni çdo ditë te varret e tyre.

II

A thua çfarë gjinie kishte Grenelli (nuk po shkruaj kush është dhe çfarë përfaqëson) pse iku me shpejtësi në Beograd dhe ngrehu dolli në mbrëmje bashkë me ata që para 20 viteve Amerika ua tregoi rrugën përmes forcës.

A nuk ndaleni të mendoni pse po ndodh kjo “afërsi” dhe ri rregullim i raporteve Serbi – ShBA. Apo nuk iu bënë përshtypje fare?

A shikoni si po ndryshojnë forcat ekonomike dhe politike botërore. E në këtë mes ku gjenden shqiptarët dhe Kosova. Ndoshta edhe jemi të vetëmjaftueshëm në tërë këtë ndryshim të madh botëror.

Ju rrini duke nxjerrë tradhtarë prej dheut dhe patriotë prej nëntokës e mos shikoni për rreth çka është duke ndodhur.

E ju hajeni njëri tjetrin derisa t’ju hanë të tjerët.