Dita Botërore e Autizmit: Personat me autizëm meritojnë të jetojnë me dinjitet

Mr. Sc. Besnik Sherifi, Psikolog Klinik

Kjo ditë ka për qëllim të rris vetëdijen e njerëzve për fëmijët dhe të rriturit që janë të prekur nga autizmi, të rrisë informimin dhe vetëdijesimin e shoqërisë, me qëllim që personat me autizëm të jetojnë me dinjitet, të jenë kontribuues në komunitet, të jenë aktiv në detyrat dhe angazhimet të cilat paraqiten gjatë gjithë jetës së tyre.

Autizmi një çrregullim kompleks i zhvillimit, i cili prek shumë aspekte të tij që nga mënyra se si një fëmijë e sheh botën e tij dhe mëson nga eksperiencat e tij dhe deri në mungesën e dëshirës për kontakt social.

Autizmi prek disa sfera të zhvillimit si: komunikimin, mënyrën e sjelljes dhe ndërveprimin shoqëror. Qëllimi është theksimi i nevojës për të ndihmuar dhe përmirësuar cilësinë e jetës së fëmijëve dhe të rriturve te prekur nga autiᴢmi.

Gjithashtu është e rëndësishme ofrimi i shërbimeve psiko-sociale, rehabilituese dhe trajtimi i tyre me qëllim të  ndikimit pozitiv në gjendjen psikike, fizike, emocionale dhe sociale.

Αngaᴢhimi dhe stimulimi në të gjitha këto sfera pa dyshim se ndikon direkt në mirëqenien e fëmijës, në familje komunitet dhe shoqëri.

Angazhimi dhe përkushtimi nga institucionet e ndryshme, për një sistem më të mirë arsimimi, gjithpërfshirje dhe edukimi, asistimi në institucionet arsimore  në përshtatjen e nevojave të tyre individuale ndikojnë  pozitivisht në zhvillimin dhe mësim nxënien tek te cilat ka efekt dhe ndikim pozitiv edhe në familjet e tyre, ku dihet se  kujdesi, trajtimi i fëmijëve nga institucionet dhe organizatat e ndryshme lehtëson dukshëm gjendjen e tyre psikologjike.

Eksperienca ka treguar se trajtimi më i mirë i personave me autizëm është intervenimi dhe edukimi i hershëm dhe i specializuar, i cili synon përshtatjen e ambientit rrethues me nevojat e këtyre fëmijëve.

Të mësuarit e strukturuar tek këta fëmijë ka disa komponentë të rëndësishëm si:

-Të organizojë dhe thjeshtëzojë mjedisin fizik që të jetë më i qëndrueshëm me mënyrat që autikët procesojnë informacionin sensor.

-Të përpilojë plane individuale  dhe teknika të ndryshme me qëllim të arritjes së procesit në mësim-nxënie.

-Të zhvillojë sistem pune individuale për funksionim të pavarur.

-Të përdoren materiale të qarta vizuale dhe të mësoj të identifikojë dhe përdorë mjete vizuale me qëllim që ato të lehtësojnë përgjithësimin, të krijojë rutina pozitive dhe produktive tek fëmijët.

Andaj kujdesi, trajtimi i këtyre fëmijëve është shumë i rëndësishëm dhe i nevojshëm për të punuar dhe për të qenë pjesë në aktivitete të jetës së përditshme, duke respektuar të drejtat e tyre si brenda familjes po ashtu edhe në shoqëri duke mësuar për aftësitë e tyre të veçanta, në mënyrën e integrimit, socializimin dhe  pavarësimin.