23 vjet nga rënia e Abdullah Tahirit
Sot mbushën 23 vjet nga rënia e kryengritësit të Anamoravës, Abdullah Tahiri, i cili tërë jetën e tij, në të gjitha format luftoi për lirinë e trojeve shqiptare dhe pavarësinë e Kosovës.
Si në angazhimet e ndryshme studentore, si në ato politike kundër regjimit jugosllav, ai tregoi një heroizëm të jashtëzakonshëm duke shpërndarë idenë e çlirimit nga pushtimi.
Abdullah Tahiri mbetet shembulli më i mirë i një veprimtari e luftëtari për liri.
Duhet rikujtuar se më 11 mars, Abdullah Tahiri bëri veprën që shënohet në histori si “përmbytja e tabakut të ushqimit”, si shenjë revolte, moment ky që shënon fillimin e demonstratave të vitit 1981.
Asgjë nuk ishte rastësi.
Demonstratat u popullarizuan duke marrë përmasat e një kryengritje gjithëpopullore për liri, ku hapur u kërkua që Kosova të bëhet Republikë.
Po ashtu duhet përkujtuar momentin kur Abdullah Tahiri, në një takim të subjekteve politike, mbajtur më 15 qershor 1998 në Gjilan, kërkoi publikisht përkrahjen për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Policia serbe e arreston Abdullahun si nismëtar të UÇK-së në Zonën e Karadakut dhe pasi dënohet në Gjilan, më vonë transferohet në Dubravë prej nga ku nuk doli i gjallë.