31 vjet nga vrasja e Reshat Ymerit, vazhduesit të idealeve të heronjve pararendës

Para 31 vitesh, më 29 janar 1990, djaloshi nga Gjilani, Reshat Ymeri (1962), u qëllua për vdekje nga policia serbe, derisa po demonstronte kundër dhunës dhe padrejtësive të Beogradit mbi shqiptarët, shkruan Mediafokus.info  

Pjesëmarrja masive e popullit shqiptar në demonstratë, ishte tregues i qartë për Serbinë pushtuese, se në Kosovë po krijoheshin rrethana të tjera dhe të reja.

Ishte tregues i qartë se në udhëheqje kishte ardhur një gjeneratë e re, vazhduese besnike e idealeve të mëdha të heronjve Kadri Zeka, Rexhep Mala, Nuhi Berisha, Zija Shemsiu dhe të shokëve të tyre të gjallë, që ishin burgosur dhe po dergjeshin burgjeve të ish-Jugosllavisë.

Atë, nga vendi i vrasjes e kishin dërguar deri tek ambulanca afër stadiumit, vëllezërit Zeqir e Ali Rrahmani dhe Nexharije Bajrami dhe prej aty, shoferi i emergjencës Riza Neziri, përkundër pengesave të mëdha policore, kishte bërë gjithçka që ishte e mundur për ta dërguar Reshatin në Spitalin e Prishtinës, por pa sukses.

Reshati nuk kishte mundur të përballonte plagët e marra nga plumbat e pushkëve të pushtuesit dhe ka ndërruar jetë si dëshmor i atdheut.

Sot në Gjilan, emri i Reshat Ymerit është skalitur në muralin e heronjve dhe dëshmorëve të kombit dhe atij i është ngritur edhe busti nga autoritetet komunale.

Po ashtu një rrugë në qytetin e tij të lindjes mban emrin ‘Reshat Ymeri’.  /Mediafokus.info