A është toponim sllav emri i fshatit Kishnapole?

Kishnapola gjendet në veri-perëndim të Gjilanit, në një trekëndësh mes komunave Viti, Ferizaj dhe Lypjan. Emri i fshatit nuk ka prejardhje sllave, siç pretendojnë disa, por është toponim shqip.

Ramadan Mehmeti, arsimtar, thotë se kur flitet për emrin Kishnapole, shpeshherë thuhet Fusha e Shiut, por kjo nuk qëndron, raporton MediaFokus.info

E vërteta është se Kishnapola daton qysh nga shekulli 14, nga periudha bizantine, që nënkupton se ky lokalitet është shumë i vjetër.

Në bazë të hulumtimeve që ka bërë Mehmeti, ka ardhur në përfundim se bizantinët shfrytëzonin xeheroret e këtushme, për çka edhe sot ka gjurmë konkrete.

Si argument, ai përdorë hartën e vitit 1530, kur regjionet ishin të ndara. Qendra kryesore ishin Novobërda (Artana e sotme), që përfshinte Kamenicën, ndërsa regjionin e Kishnapolës e përfshinte Ulpiana, pra Lypjani i sotëm.

Sipas tij, asokohe, popullata e këtushme i përkiste besimit të krishterë dhe ortodoks, çka e dëshmojnë gjurmët e kishave.

Supozohet se çdo kishë mbante një emër. Kisha e Kishnapolës e mbante emrin e Shën Palit, prej nga e ka prejardhjen emri i fshatit, që në shqiptim ka pësuar ndryshime, por assesi nuk është emërtim sllav, sepse sllavishtja ka fjalë tjetër për kishën.

Përveç kishave, ekzistojnë edhe varreza që e dëshmojnë besimin e popullatës së këtushme në atë kohë. /MediaFokus/