Ata ishin të parët kudo që ishte rrezik

Ismet TAFILI

Në 20 vjetorin e çlirimit të Gjilanit dhe të Betejës së Zhegocit, komuna e Gjilanit e ka shpallur vit të lirisë. Në këtë përvjetor komuna e Gjilanit, shoqatat e luftës e subjekte të tjera zhvilluan manifestime të ndryshme, si: ngritje të shtatoreve, busteve, pastaj u bën homazhe, u mbajtën akademi, u dhanë shfaqje, dokumentarë, emisione të shumta radiotelevizive e manifestime tjera të ndryshme në nderim të dëshmorëve e në përkujtim të ngjarjeve të ndryshme atdhetare.

Në kuadër të kësaj edhe për dëshmorët Tefik e Hanumshahe Zymberi, me rastin e 20 vjetorit të rënies së tyre, u bë përurimi i busteve në shkollën e Pasjakut dhe në sheshin me të njëjtin emër në lagjen Dardania në Gjilan.

Më 21 dhjetor 2019, me rastin e ditëlindjes së 59-të të Tefikut e të ditëlindjes së 57 të Hanumshahes dhe me rastin e dekorimit të tyre nga Presidenti i Republikës së Kosovës, në teatrin e qytetit në Gjilan, në ora 13.00, organizuar nga Komuna e Gjilanit dhe Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve do të mbahet akademi përkujtimore.

Për dëshmorët, sa herë që na duket se kemi bërë diçka, asnjëherë nuk është e mjaftueshme, sepse ata dhanë jetën, derdhën gjakun për lirinë, të cilën ne sot po e gëzojmë.

Tefik Zymberi u lind në Verbicë të Zhegocit, më 21 dhjetor 1960. Babai i tij ishte minator. Që në bankat shkollore (1967), dallohet për zgjuarsi, sepse ende pa hyrë në shkollë i kishte mësuar të gjitha shkronjat. Disa herë është shpërblyer si nxënësi më i dalluar në shkollë.

Vazhdoi shkollimin në gjimnazin e Gjilanit, drejtimi gjuhësor. Për shkak të kushteve të vështira, në pamundësi që të paguante qira, banonte te motra e tij, Zyria në Bresalc, prej ku shpesh udhëtonte në këmbë për Gjilan. Përkundër kushteve të vështira, ai ishte i dalluar.

Edhe pse familja e tij varej vetëm prej një pension të vogël minatori, ai regjistrohet në Fakultetin Filozofik, dega Letërsi dhe Gjuhë Shqipe (1979). Edhe pse e kishte kryer fakultetin, shumë vite nuk punoi në profesionin e tij. Vetëm në vitin 1990 iu mundësua të kap ditarin në fshatin e tij, në Verbicë të Zhegocit, ndërsa në vitin 1995 do të fillojë të punojë në Pasjak, në shkollën fillore “Vatra e Diturisë”.

Ishte kryeredaktor i gazetës “Vatra”e cila u botua shumë shkurt në Gjilan dhe anëtarë i redaksisë së gazetës “Bashkimi”.

Në vitin 1993 martohet me Hanumshahe Abdullahun.

Hanumshahe Abdullahu- Zymberi u lind më 12 tetor 1962 në Gjilan, ku edhe kreu shkollën fillore dhe të mesme. Ishte nxënëse e shkëlqyeshme në të gjitha lëndët, ishte pedante dhe e vendosur.

Më 1981 regjistrohet në fakultetin Filozofik, dega Letërsi dhe Gjuhë Shqipe.

Hanumshahe Abdullahu si nxënëse dhe studente e dalluar merrte pjesë në të gjitha garat në shumë fusha, posaçërisht në recitime dhe dramë që mbaheshin në Kosovë e jashtë saj. Mori pjesë në pajtimin gjaqeve, organizoi shoqata të grave ku mblidhte ndihma për popullin për luftën etj. Ishte bashkëpunëtore e gazetës “Bashkimi” e cila botohej në Gjilan.

Punoi si mësimdhënëse në shkollën fillore ”Vatra e Diturisë” në Pasjak dhe më pas u zgjodh drejtoreshë në shkollën “Rexhep Elmazi” në Gjilan, e cila u bë shembull si duhet të punohet dhe të udhëhiqet një kolektiv.

Tefiku e Hanumshahja duke qenë veprimtarë e atdhetarë të brumosur që nga gjiri familjarë, e dinin se njëra nga shtyllat e arritjes së lirisë është shkollimi, prandaj në rend të parë i kishin dhënë obligim vetes, që me çdo kusht të shkolloheshin, sepse armikut tonë shekullor gjithmonë i kishte penguar shkollimi e arsimimi i shqiptarëve. Por, ata ishin të vetëdijshëm gjithashtu se krahas kësaj, duhet të përgatitemi që një ditë të kapin edhe armët.

Pranvera e vitit 1981 i gjeti student të Fakultetit Filologjik, të cilët pa hezitim ndër të parët iu bashkëngjitën demonstratave të studentëve, demonstrata këto ku filloi rrënimi i ish- Jugosllavisë. Edhe pas vitit 1981 mbanin kontakte të vazhdueshme em shokë dhe punonin që të arrihet liria e Kosovës.

Tefiku e Hanumshahja ishin të përfshirë edhe në celulat ilegale. Me përkushtim të madh bënin propagandë kundër pushtuesit serb, zgjeronin radhët, lexonin vetë e shpërndanin literaturë, gazeta ilegale e shkruanin parulla. Sikur këto nuk mjaftonin, prandaj së bashku me shokët e celulës, Tefiku, në vitet 1992/93 nxjerr gazetën “Vatra”, kryeredaktor i së cilës ishte.

Më vonë, kur filloi të dal gazeta “Bashkimi”, Tefiku ishte njëri ndër anëtarët e redaksisë së kësaj gazete, ndërsa Hanumshahja ishte bashkëpunëtore e kësaj gazete.

Tefiku dhe Hanumshahja duke e njohur njëri tjetrin, si veprimtarë dhe atdhetarë të devotshëm, vendosën që të jenë edhe bashkëshortë dhe, më 1993 martohen për të vazhduar veprimtarinë atdhetare dhe organizimin në lëvizjen ilegale edhe më me ngulm.

Ata i bashkoi diçka më shumë se martesa, i bashkoi atdheu, idealet e njëjta, lufta për çlirim dhe liria.

Tefiku dhe Hanumshahja ishin të kyçur edhe në shoqatat humanitare të kohës, të cilët me mish e me shpirt u munduan të jap kontributin e tyre në dobi të popullit të vuajtur dhe të pushtuar. Vizitonin familjet që kishin nevojë t’u ndihmohet dhe u qante zemra u shpirti kur i shihnin njerëzit që i kishte kapluar skamja e mjerimi. Shpesh në mungesë të mjeteve dhe ndihmave tjera që nuk kishte shoqata, ata u jepnin parat e veta, ato që i kishin.

Në jetë, në ilegale, në luftë, aty ku ishte rrezik, ata ishin të parët.

Bashkëshortët Tefiku dhe Hanumshahja, që prej daljes së UÇK-së, e posaçërisht pas formimit të Zonës Operative të Karadakut, u bënë pjesë e saj, deri sa Hanumashaja zgjidhet përgjegjëse e sektorit për Informim. Shtëpia e tyre u bë bazë e fortë dhe e sigurt e luftëtarëve trima të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ishin të përkushtuar me gjithë forcën që Kosova, populli shqiptar të jenë të lirë dhe këtë e bën deri në ditën kur ranë dëshmorë, më 15 prill 1999 te Hanet e Zhegocit.

Rënia e tyre, gjaku i derdhur i tyre dhe gjithë dëshmorëve tjerë, është dritë lirie, është bazament i fortë i lirisë së atdheut.

Lavdi dëshmorëve Tefik e Hanumshahe Zymberi!