Avokati i Popullit thotë se Policia e Kosovës i shkeli të drejtat e njeriut në rastin e Luljeta Aliut

Institucioni i Avokatit të Popullit ka gjetur se Policia e Kosovës ka shkelur të Drejtat dhe Liritë Themelore të Njeriut në rastin e Luljeta Aliu Krasniqit, kur ajo kishte shkuar në Stacionin Policor në Prishtinë për ta denoncuar bashkëshortin për shkelje të vendimit të Gjykatës Themelore të Prishtinës për mbrojtje dhe kishte hasur në refuzim nga zyrtari policor për ta intervistuar me arsyetimin se nuk e kishte veshjen adekuate dhe në pajtim me Kodin e Etikës, shkruan express.

Anëtarja e shoqërisë civile dhe njohësja e komentuesja e zhvillimeve politike në vend, Luljeta Aliu Krasniqi kohë më parë kishte raportuar bashkëshortin e saj në Policinë e Kosovës për dhunë në familje.

Luljeta Aliu Krasniqit i ishte miratuar edhe masa për mbrojtje nga bashkëshorti për 12 muaj, ku këtij të fundit i ndalohej që ta shqetësonte bashkëshorten e tij, dhe gjithashtu i ndalohej të shkaktojë dhunë psikike, kërcënim dhe ndalim të çfarëdo bartje apo transaksioni të pasurisë.

Screenshot nga vendimi i Avokait të Popullit

Megjithatë një urdhër i tillë nuk ishte respektuar nga bashkëshorti, i cili ia kishte ndaluar bashkëshortes mjetet financiare për mbulimin e shpenzimeve për jetesë për të dhe për dy fëmijët. Ky veprim kishte bërë që Luljeta Aliu t’i drejtohej stacionit policor për ta denoncuar bashkëshortin e saj për shkelje të vendimit të Gjykatës.

Siç thuhet në vendimin e Avokatit të Popullit, gjatë intervistimit, zyrtari policor kishte refuzuar që ta regjistronte deklaratën e Luljeta Aliu Krasniqit me arsyetimin se ajo nuk kishte veshjen adekuate për paraqitje në Stacionin e Policisë dhe i kishte kërkuar që të largohej nga Stacioni meqë kishte konstatuar se veshja nuk është në përputhje me Kodin e Etikës.

Një vit më vonë, Aliu Krasniqi kishte shkuar në Stacion Policor edhe për të denoncuar kunatin e saj për kanosje, derisa edhe në këtë rast i kishte dalë problem në Stacion, meqë siç shkruhet në vendimin e Avokatit të Popullit, zyrtarja policore nuk e kishte shkruar saktë deklaratën pas incizimit, dhe Aliu kishte refuzuar që ta nënshkruante.

Luljeta Aliu Krasniqi kishte ushtruar ankesë edhe Inspektorat Policor, megjithatë rasti ishte përcjellë në instanca më të ulëta dhe nuk ishte penalizuar askush.

Marrë parasysh gjithë këto fakte dhe rrjedhjen e ngjarjes Avokati i Popullit ka gjetur se për rastin në fjalë, Policia e Kosovës ka shkelur të drejtat dhe lirive themelore të njeriut  dhe se Policia nuk i ka përmbushur detyrimet kushtetuese ligjore e as standardet ndërkombëtare të aplikueshme.