Azizi: Gjyqtarin Halil Zahiri do ta kujtojmë gjithmonë me mendje dhe me shpirt

Me rastin e ndarjes nga jeta të gjyqtarit, Halil Zahiri, sot në Gjykatën Themelore të Gjilanit është mbajtur një mbledhje komemorative.

Kryetari i Gjykatës, Ramiz Azizi ka thënë se gjyqtari Halil ka qenë një punëtor i zellshëm, i sinqertë dhe person me vlera morale të larta.

“Është moment shumë pikëllues dhe i dhimbshëm përshëndetja për herë të fundit me gjyqtarin, Halil Zahiri. Kjo është një ditë e rëndë për të gjithë ne, që e kemi pasur fatin ta kemi koleg. Të gjithë e dimë që Halili ka pasur një vullnet të jashtëzakonshëm për punë, por ajo që e ka bërë atë të veçantë, ka qenë humanizmi i tij dhe dashuria për të gjithë”, tha kryetari Azizi.

Edhe Administratorja e Gjykatës, Florina Jerliu me këtë rast ka thënë se Zahiri gjithmonë do të kujtohet si njëri i zellshëm në punë dhe për karakterin pozitiv.

“Ka qenë në njeri i dashur për të gjithë, ka shprehur një pozitivitet gjithmonë si në orar të punës, por edhe jashtë punës. Ne do të mbajmë në mend gjithmonë për korrektësinë, profesionalizmin dhe urtësinë dhe do ta kujtojmë përherë e me dinjitet për kontributin që ka dhënë në sistemin e drejtësisë”, ka theksuar Jerliu.

Biografia e gjyqtarit Halil Zahiri.

Ai diplomoi në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës në vitin 1983, kurse provimin e jurisprudencës e përfundoi në vitin 2002.

Nga viti 2000 ka filluar të punojë si bashkëpunëtor profesional në Gjykatën Komunale në Gjilan deri në vitin 2010.

Më pas ai morri detyrën si gjyqtar i Gjykatës Komunale në Gjilan, punë të cilën e ushtroi dy vite.

Ndërsa, nga fillimi i vitit 2013 filloi punën si gjyqtar në Divizionin Civil të Gjykatës Themelore në Gjilan, pozitë të cilën e ka mbajtur derisa sëmundja e ndau prej nesh.

Përveç përvojës në Gjykatë, Halili ka punuar edhe si sekretar i organizatës-Kooperativa bujqësore ,,Pogragja” në vitin 1984.

Nga viti 1991 deri në 1996 ka qenë udhëheqës i shërbimit juridik Ndërmarrjen ,,Jehona” në Gjilan.

Kjo është një biografi për gjyqtarin Halil.