“Burrat përpara janë kanë ma burra, tash janë shpërla krejt“

Çfarë dhurate më të madhe mund të kemi sesa të arrijmë një shekull jetë? Cili mund të jetë urimi më i mirë, cila mund të jetë trashëgimia më e mirë se t’u tregosh njerëzve atë që ke përjetuar nëpër katër e më shumë gjenerata…

Ramize Berisha Maliqi (16.11.1913) nga Kamenica është njëra nga këto personazhe që ka shkelur shekullin dhe ka çka të tregojë.

Ajo është në gjendje shumë të mirë fizike dhe psikike, është ndër tre-katër njerëzit më të vjetër në Anamoravë e ndoshta edhe në tërë Republikën e Kosovës.

(Përkujdesin e saj e kishte djali i kunatit prof. Nazim Maliqi, pasi lokja Ramize s’kishte pasur fëmijë të saj).

Në bisedë e sipër, më tha: “Mos um ngucni allahile, une jam plakë tash e muj me gabue najsen”.

Megjithatë i dha disa porosi.

Muhabetin ajo e përmbledh me disa fjali shumë domethënëse, që në të njëjtën kohë ishin edhe porosi për breznitë e reja.

Në realitet kur flitet për gjeneratat e sotme nuk mund t’i përballojnë lehtë disa mendime të pleqve e të plakave:

“Ktynihere ka pasë fukarallak, po ama u kanë ma mire se ka pas muhabet. Une kam pasë rahatllak me burrin tem edhe me kejt familjen. Na lokes kemi pasë marre shum përpara, tash s’ka marre s’ka marifet, kanë hupë. Burrat përpara janë kanë ma burra, tash janë shperla krejt, jo veç burrat, po edhe gratë sot janë dalë fare krejt. Na përpara kemi punue shum si n’shpi si n’fushë. Jeta u kanë ma e shtirë, po me vakt kejt po u harrojkan”.

Unë dëshiroja të dija pak edhe për pushtusit e luftat që lokja i ka përjetuar.

Për këtë ajo tregon:

“Luftat i maj n’men kejt, t’kohës kralit, bugarit e italianit, e maj men shum mirë edhe luftën e komunistit, e shtirë û kanë shum, edhe koha e pushkëve që i thojshin, koha e Rankoviqit. Krejt janë kanë shum të shtira se s’ka luftë e zullum t’mirë, po kjo e fundit u kanë ma e keqja, shkiet kanë ba shum zullum, ju edhe vetë e dini kanë kallë shka ju ka dalë përpar s’kanë kshyr a asht shpi a plema, a xhami a shkollë, ata e kanë kallë, kanë mytë fmi e gra, pleq e tri s’e kanë kshyrë a asht ushtar a shka, kta s’kanë pasë hiç karar”.

Lokes, duke na rrefy tregimet e saj, shpesh edhe i mbusheshin sytë me lot, besa as unë nuk e kisha lehtë të jem gjakftohtë gjatë rrëfitmit të saj, po e fshehja para saj.

Duke i dëshiruar pleqëri të rehatshme, u përshëndeta me të dhe me familjen e saj. (Kamenicë, 9 dhjetor 2017) )

/Muhamed Sadriu–‘Bukuria e Rrudhave’/

Note: Mediafokus mban ekskluzivitetin e publikimit të artikujve nga libri ‘Bukuria e Rrudhave’. Ndalohet rreptësishtë kopjimi dhe përdorimi i tekstit apo copëzave të tij.