Challandes ka ftuar kryesisht lojtarë vendorë për miqësoren kundër Suedisë
Bernard Challandes i ka ftuar për herë të parë shumë lojtarë të Ipko Superligës në skuadrën prej 25 futbollistëve, për miqësoren e Kosovës kundër Suedisë muajin e ardhshëm.
Kosova do të ballafaqohet me Suedinë për herë të parë më 12 janar, në një ndeshje miqësore në Doha të Katarit, raporton Gazeta Express.
Shumica absolute e lojtarëve kryesorë të ekipit kombëtar verdhekaltër nuk janë ftuar, për shkak se do të jenë të zënë me ekipet e tyre në ligat evropiane, në kohën kur Kosova të ndeshet me Suedinë.
Miqësorja e Kosovës zhvillohet jashtë orarit zyrtar të FIFA-s për ndeshjet e Kombëtareve.
Si pasojë, trajneri zviceran e ka parë këtë si mundësi të mirë për t’i ftuar për herë të parë në Kombëtare disa nga lojtarët e talentuar që luajnë në kampionatin vendor, si treshja e Ballkanit, Blend Baftiu, Jetmir Topalli dhe Arbër Hoxha.
Në përgjithësi, nga liga elitare kosovare janë ftuar 13 futbollistë.
Nga baza e ekipit kombëtar janë ftuar vetëm qendërmbrojtësi i Kalmar, Fidal Aliti, Herolind Shala, Anel Rashkaj dhe Elbasan Rashani.