Ky është kryetari i parë fëmijë që e udhëhoqi Komunën e Gjilanit një ditë

Praktika e “dorëzimit” të pushtetit tek fëmijët në Gjilan, me të  drejtë nënshkrimi edhe të ndonjë vendimi gjatë ditës kur qeverisin, ka filluar pas luftës (2001), si ide e komandantit të paqeruajtëseve amerikanë, e cila ishte përkrahur asokohe nga Lutfi Haziri.

Po, kush ishte kryetari i parë i Gjilanit me mandat njëditor?

Koloneli Jack Kamerer, i impresionuar nga vizita e një grupi të nxënësve në kampin “Monteith”, kishte propozuar që posti i kryetarit të Komunës, që edhe asokohe e mbante Lutfi Haziri, t`i lihej për një ditë Egzon Bajrami, shkruan Mediafokus.info

Nga kjo pozitë, më 15 tetor 2001, dhjetëvjeçari Egzon Bajrami u kishte bërë thirrje qytetarëve të Gjilanit, që t`i bashkëngjiten një aksioni për pastrimin e ambientit dhe të gjithë së bashku të krijojnë një mjedis më të mirë për jetesë.

Ndërkaq, koloneli Kamerer, asokohe tha se “unë do të isha shumë i lumtur po të kisha një fëmijë si Egzoni, i cili është shpresë për të ardhmen e këtij vendi”.

Nxënësi i klasës së katërt të shkollës fillore “Selami Hallaqi” të qytetit, tha se ndjehet i emocionuar nga përzgjedhja për ta imituar rolin e kryetarit të Komunës, që realizohej për herë të parë në Gjilan.

Premtimi i tij asokohe ishte se do të angazhohet që një ditë të bëhet kryetar i vërtetë i Komunës, por nuk kemi njohuri se ku ndodhet tani Egzon Bajrami, 20 vite pas.

Një ditë, ndonjëri nga këta fëmijë, mbase mund të jetë kryetar i Gjilanit. /Mediafokus/