Çmimet e shtrenjta i lënë qytetarët pa u testuar

Deputetët kanë votuar Ligjin për parandalimin dhe luftimin e Pandemisë në seancën e së premtes. Pas miratimit të ligjit të gjithë ata që nuk i bartin maskat dhe nuk e mbajnë distancën sociale do të gjobiten nga 35 deri ne 500 euro.

Qytetarët po e vlerësojnë të nevojshëm miratimin e ligjit, por që gjobat po i konsiderojnë shumë të larta.

Drita Mengjiqi, miratimin e Ligjit po e konsideron të drejtë, por thotë se masat nuk po respektohen sa duhet. Ajo thotë se nuk është testuar në laborator privat ngase çmimet janë shumë të shtrenjta.

Fiqrete Shabanaj, tha se në situatën në të cilën gjendet Kosova testet në laboratorët private janë shumë të shtrenjta. Edhe gjoba për qytetarë që nuk i respektojnë masat po i konsideron të shtrenjta.

“Nuk kam bërë test në klinikën private por janë të shtrenjta për situatën në të cilën gjendemi sepse njerëzit nuk kanë për të paguar”.

“Pak e kom përcjell vendimin e qeverisë për hyrjen e ligjit ne fuqi për Covid-19, por është bërë shumë mirë. Dënimet janë shumë të shtrenjta, por vetëdijesimi duhet të jetë në nivel. Masat po respektohen më shumë ditëve të fundit”.

Përderisa Elez Nikqi, tregoi se ka bërë testin në laboratorin privat për të cilin ka paguar 40 euro. Ai tha se nëse Qeveria e ka paraparë që me anë të ligjit të vetëdijesohen qytetarët nuk do të ketë efekt, raporton EO.

“Sot e bëra testin në laborator privat dhe ishte shumë shtrenjtë. Shkova të lajmërohem në shtëpi të shëndetit. Më thanë të pres tri javë ditë. Testi ishte 40 euro”.

“Nëse e kanë paraparë qeveria që me anë të ligjit mund të vetëdijesohet popullata ndoshta ka efekt, unë nuk besoj se do të ketë efekt. Ky lloj virusi që do të përballet çdo njëri në Kosovë dhe në botë”.

“Gjobat janë absurde. Unë në vecanti jam munduar t’i respektoj masat në përpikëri si në shtëpi, në punë dhe rrugë”.

Gani Rama, e sheh të drejtë hyrjen e ligjit në fuqi, madje ai bëri thirrje për bartje të maskave, raporton EO.

“Gjobat ndaj qytetarëve nuk janë të shtrenjta. Masat nga qytetarët janë duke u respektuar 80%. Shumë vendim i drejtë hyrja në fuqi e ligjit për Covid-19 dhe edhe unë me qenë në vend të tyre e dënoj atë që nuk vë maskë. Pse mos me bajt kur e mbron veten, shoqërinë dhe familjen”.