‘Dashnija e sodit po më doket pak si me hile’

Çfarë dhurate më të madhe mund të kemi sesa të arrijmë një shekull jetë? Cili mund të jetë urimi më i mirë, cila mund të jetë trashëgimia më e mirë se t’u tregosh njerëzve atë që ke përjetuar nëpër katër e më shumë gjenerata; se e mban mend fshatin me 25 shtëpi që tash numëron 85 sosh… apo se e mban mend ”kohën e turkit”, “… t’kralit”, ”… t’bugarit”, “të ‘talianit” apo “kohën e Rankoviqit” e “kohën e komunistit”, po edhe vlimet e tjera brenda kësaj periudhe si “të 68-tën”, “81-shin” e për të 90-tat dhe luftën e fundit të Kosovës për çlirim, lufta e fundit e shkive, siç shprehen ata vetë…

Kada Gashi Bunjaku (3.10.1915) nga fshati Dobërdol, e cila tani jeton mes Desivojcës dhe Gjilanit, ku jeton familja e saj, është njëra nga këto perdonazhe.

Lokja Kadë e filloi bisedën duke treguar për ngjarjen që i kishte ndodhur në ambulancë në Kamenicë:

“Shkova m’u kontrollue në ambulantë në Kamenicë edhe m’ veten: Loke a asht e mujshme m’i pas tanë kto vjet Ti a? U thashë; Unë nuk i kam shkrue kto vjet, qaq janë qysh po shkrun aty”.

Tregon aq bindshëm që ia kisha lakmi për kthjelltësinë që kishte për moshën e saj.

S’kisha si t’i shmangësha pyetjes se si ia kishte arritur të jetonte aq gjatë?

Ajo vazhdon tregimin duke u përgjigj: “Sa jetojmë nuk e dimë na as kurkush, po sigurisht që nja pi (prej) arsyjeve asht edhe dashnija që po më rrethon, familja, fmija mi, nipat e mesat.

Boll duhen fmija, po nipat edhe mesat po duhshin edhe ma shum. Nipat, sidomos qyky (ishte i pranishëm nipi i saj Kushtrimi) ma zgatin jetën, vjen um don, um qafë përdit ku mos me t’u zgatë jeta”.

Vërtet, ishte ashtu: kujdesi ndaj lokes Kadë ishte i madh dhe për t’u admiruar. Lokja e vazhdon tregimin e saj për të kaluarën, ku siç mora vesh, ishte pjsëmarrëse aktive e LNQ-së (Luftës nacional çlirimtare për një vit e tetë ditë siç tregon ajo) dhe shumë ngjarje të tjera:

“Po jam kanë në Luftën e dytë botnore, bile jam e plagost në kamë, jam kanë bashkë me burrin tem në luftë, janë kanë kohë të shtira, po shkuen edhe ato shpejt bile. M’i krahasue kohnat, kjo e sodit ashtë ma e mirë, bile shum ma e mirë, veç pak nuk po më pëlqen kjo qurudia e të deshmes që p’e bojnë kto t’rejat e sodit. Edhe dashnija e sodit po me doket pak si me hile”, thotë lokja Kadë.

Në moshën 103 vjeçare ajo kjertësisht i njeh monedhat dhe udhëton e pa shoqëruar nëpër vendet e ndyshme (Prishtinë, Podujevë, Kamenicë e Disivojcë) dhe tregon; “Djali po më thotë mos puno veç rri, po unë smuhna me nejtë, nuk muj me nejtë; hala i boj krejt puntë: za djath vetë e shum punë qera i boj; nuk muj m’u nalë. Kta ka pak po bohen nervoz që po punoj, po nashtë, unë deri sa t’majnë kamtë kam me punue”.

Në pytjen time a asht ma mirë në Gjilan apo në katund, lokja thotë: “Jo, në katun ma mirë, po ka gjallni gjelbrimi, natyra, tana; po ka shka me punue jo toka, jo gjoja, po shkon dita, s’pe shef (ajo ende kujdest për bagëtinë edhe tokën si të ishte për gjysmë më e re); n’shehër nuk sheh kurgja as gjallni, bile po më doket dyqysh si ftoft”.

Vazhdojmë bisedën për temat e tjera dhe ajo tregon: “Unë gjithmonë jam kanë besimtare, kam fillue m’e ninu Ramzanin prej nant vjeçe, çashtu thojshin atëherë (që i bie të ketë agjërua gjitjsejt 94 ramazana), edhe asht interesant që kurrë nuk untohna e as nuk eshtohna, bile as në grunaja e as në t’korra, e as në t’prashitma; kurrë s’kam pasë problem, e kam kalue si pa u pa. Unë jam rritë me edukatën se nuk ban me vjedhë, nuk ban me rrejtë, e nuk ban m’i ba keq kurkujt, bile edhe sot u tham nipav t’djemve që qeshtu duhet m’i rritë e m’i edukue fmijen. Unë e maj men që pleqtë thojshin; NI THERR M’E MARRË N’GARDH T’HUJ M’I KRU DHAMTË KI M’U BA AZAP; e pasha loken sot ta marrin kejt gardhin e s’e kanë hiç gajle”.

Për jetën bashkëshortore ajo tregon; “Me burrin e kam pasë jetën e rahatshme, ai û kanë shum i urtë kurrë një llaf nuk ja di, kurrë nuk në jetë nuk um ka bërtitë, a unë jam kanë pak ma sert. Ai um thojke shpesh: Ti je si gjerman nuk po nalesh kurrë, nalu najherë se s’ki me marrë kurgja n’vorr, pusho pak mos i shtin shum siklet vetit. E kam pasë jetën e rahatshme e tash n’pleqni me fmi e me nipa e mesa hala edhe ma mirë (lokja i ka rritur tre djem e dy vjaza). Veç ka pak po kam problem tash me shtypjen e gjakut, po me shkon pak nalt ka ni here p’e kapercen 130-shin (që më bani të qeshem, kur ne t’rinjve na është më e lartë) se me tjerat jamë shum mirë, s’kam asnjë dhimtë; te mjeku shkoj shum rrallë”.

Kështu e përfundon tregimin e saj lokja Kadë që në realitet me kujtesën dhe kthjelltësinë e saj mund të shkruanim edhe një libër të tanë.

U ndamë prej saj duke i dëshiruar edhe shumë vite të lumtura me dashninë që e rrethonte. (Gjilan, 20 nëntor 2018). /Muhamed Sadriu – ‘Bukuria e Rrudhave’/

…………………………………………………………

Note: Mediafokus.info mban ekskluzivitetin e publikimit të artikujve nga libri ‘Bukuria e Rrudhave’. Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe përdorimi i tekstit apo copëzave të tij.