“Diçka e madhe po vjen”, çka po paralajmërojnë nga Kabineti i Lutfi Hazirit?

Në kohën kur Isa Mustafa ka dhënë dorëheqje nga posti i kryetarit të LDK-së, mundësinë më të madhe për ta marrë kreun e partisë po përmendet ta ketë nënkryetari aktual, Lutfi Haziri.

Haziri nuk i ka fshehur asnjëherë ambiciet për t’i prirë partisë më të vjetër në Kosovë, por që vazhdimisht kërkonte marrëveshje të madhe politike.

Ndërkohë, në një prononcim për një televizion, Haziri tha se “vota e fshehtë e delegatëve të LDK-së, të përcaktojë liderin e ardhshëm të LDK-së”.

Ndërkohë, në orët e vona erdhi një paralajmërim nga Kabineti i tij.

Lulzim Mustafa, i cili është pjesë e kabinetit Haziri në Gjilan, teksa ka postuar në Facebook një foto të Hazirit, ai ka vendosur mbishkrimin “diçka e madhe po vjen”, pa dhënë detaje nëse shefi i tij mund ta marrë drejtimin e partisë.

Pas pak minutash, Mustafa postoi një foto të nënkryetarit të Gjilanit, Arbër Ismajli, me të njëjtin paralajmërim “diçka e madhe po vjen”. As për këtë s’ka dhënë më shumë detaje.

Emri i Arbër Ismajlit, nënkryetar i Komunës së Gjilanit, është duke u lakuar shpesh nëpër portale të ndryshme, me pyetjen ‘a do të kandidojë për kryetar Komune’.

As ky nuk e ka fshehur ambicien për pozitën e të parit të qytetit, por që në ditëlindjen e presidentit Rugova, më 2 dhjetor 2020, Ismajli është shprehur se LDK akoma nuk ka zyrtarizuar asnjë kandidaturë dhe se kjo pritet të bëhet së shpejti./Mediafokus.info/