Dikur as nuse s`të jepnin në fshat po nuk pate një mulli tëndin

Profesori në mërgim, Haki Bunjaku, vazhdon ta kujtojë me mallëngjim vendlindjen dhe kohën e rinisë në fshatin e tij, Desivojcë.

“S`do t`i vizitoj arat e livadhet e vendlindjes, se vetëm shpatet kanë mbetur të shikohen për karshi me zili!”, shkruan ai, ndërkohë që i rikthehet të kaluarës përmes kujtimeve.

Atje më nuk puhatën në erë shamitë e përshëndetjeve, si grishje për një përpjekje a takim rasti për miklim, në dehje shpirti!

Ikën kohët e tretën njerëzit kush kah mundi dhe i lanë vend shkretëtirës e mallkimit!

Mulliri i Heredinëve që bluante për dy mëhallë, tash është mbetur tangallë dhe dera e tij kurrë nuk çilet! Ka mbetur vetëm relikt i kohës!

Reka e Mazhicës ka pas diku rreth pesëmbëdhjetë mullinj, se dikur për të zënë nuse pyesnin a ka mulli të vetin apo ka hise në mulli!

Për nevojat e ngutshme njerëzit shpikën mokrat, të cilat i sillnin në mënyrë mekanike dy vetë për të blua për nevojat ditore.

Në Kojzirekë kanë qenë mullinjtë binjakë: I joni dhe i Muratovitëve, por ujë s`ka pas për një e leje më për dy!

Atëherë e bënin mullirin me pus, ku me anë të një mekanizmi primitiv, kur zbrazej pusi, zënësi e mbyllte cifunin derisa uji pikonte mbi teneqen, si gjysmë bure dhe zënësi tërhiqej e mulliri bluante!

Unë nuk ia kam ditur zanatin mullirit, por kur shkonte dikush nga të rriturit, unë mbas tij.

Aty ishte një oxhak i vogël ku ndiznim zjarr.

Njëherë Xhaviti e gatoi një kulaç të misrit, por pa kripë s`kishte pas kurrfarë shije!

Njëherë shkova me babën zbathur e natën ra borë dhe veç kur erdh Baci Salih në mëngjes e mi solli mbathjet!

Livadhet e bacit Halit, dikur Sabilja i pastronte më mirë se oborrin e tash s`kujdeset kush për to! Janë mbush kulpra, manaferra e thera që të sjellin mjerim e trishtim!

Zaten toka pa njerëz është si varri pa kufomë!

Aty tash është vetëm një e mirë që sokaku s`ngushtohet duke shty gardhiqet Baci Halit e Kadria i Ramës!

Më ka marrë malli që ti shkeli këmbë zbathur ata gurë, sikur dikur kur shkoja pas qengjave!

Profesor Haki Bunjaku e përfundon këtë rrugëtim në kohë, duke rikujtuar se si i kalonin dimrat me mysafirë, ose duke shkuar vetë mysafirë, te Klaiqtë dhe Ramizi Kupi, ku i kishte të martuara motrat Sevdijen (tash sa kohë e ndjerë) dhe Nevrijen që jeton në Berlin./foto:artan bunjaku/mediafokus.info