Gazetari Agron Abazi rrëfen betejën e tij me koronavirusin: Unë rashë viktimë e atyre që infektimin e mbajnë të fshehur

Gazetari Agron Abazi ka rrëfyer gjendjen nëpër të cilën po kalon pas infektimit me virusin corona, mënyrën si mund të jetë infektuar si dhe shumë momente të tjera, të cilat i ka përmbledhur në një këshillë: kujdes nga Covid 19 dhe mos e fshehni infektimin ju që e keni, sepse mund të bëheni shkaktarë që dikush të vdes nesër.

Miq të mi shumë të dashur e të respektuar, ju familjarë e njerëz të mirë, koleg e kolege që më qëndruat afër e më dhatë kurajo gjatë periudhës sa unë u përballa me një gjendje aspak të mirë shëndetsore, ju shpreh falenderimet më të përzemërta, për interesimin tuaj dhe mbështetjen morale që më dhuruat, kur më duhej më së tepërmi.

Po u drejtohem me këtë adresim që t`ju shërbejë si këshillë, por edhe si kërkesë e përzemërt imja që të mos injorohet situata epidemiologjike në të cilën gjendemi.

Infektimet janë duke ndodhur në masë të madhe dhe shifrat janë të paparashikueshme, krahas atyre zyrtare që jepen.

Unë personalisht, ndonëse nuk jam testuar, kam kërkuar qysh në ditën e dyte ndihmën mjeksore dhe i jam nënshtruar terapisë. Simptomat e para që më janë shfaq gjate asaj nate, ishin djersitja, kokëdhimbja, frymarrja e vështirësuar dhe marramendja.

Në konsultimin me mjekun specialist të pulmologjisë, simptomat i kisha serioze se jam prekur nga Covid19. Pas dy ditësh nuk kam pasur kokëdhimbje por vetëm problem me frymarrje. Andaj, nëse këto simptoma u shfaqen, mos pritni asnjë minutë të vetëm, por drejtohuni tek mjeku i pulmologjise! Çdo vonesë kushton shumë !!!

Për shkak të dyshimeve që kisha me kontaktet e infektuara, dy ditë para se të më shfaqen simptomat, kam shmang kontaktet me anëtarët e familjes, me shoqëri e familjarë. Jam përkujdes për shëndetin e familjarëve të cilët nuk kanë pasur asnjë simptom (dhe aktualisht janë shumë mirë e pa asnjë ankesë shëndetsore), por edhe të shoqërise që askush të mos pësojë nga unë, prandaj u them me bindje që asnjëri mos ta ketë as më të voglin dyshim se mund ta kem infektuar, pasi që nuk i kam takuar dhe jam vetizoluar.

Unë rashë viktimë e atyre që infektimin e mbanin fshehur, e me keqardhje e them se një pjesë jo e vogël e njerëzve të infektuar, po fshehen e nuk po tregojnë, prandaj po infektojnë të tjerët.

Ju lutem, të pakten vetizolohuni edhe nëse iu duket se qenka turp me u infektu. Mos lejo të jesh shkaktar për vdekjen e dikujt!

Unë që nga sot po ndjehem shumë mirë dhe si duket po kaloj në fazën përfundimtare, ngase jam duke e marrë ngadal veten nga pasojat shëndetsore që u përballa për këto dy javë, por megjithate vetizolimin jam duke mbajtur ende.

Dua gjithashtu të ndaj publikisht një falënderim të veçantë e shumë të përzemërt për stafin mjeksor të QKMF-së në Viti, për punën dhe përkujdesin ndaj pacientëve të shumtë e posaçërisht drejtoreshën Vjollca Kadolli e cila në vazhdimësi është interesuar për gjendjen time shëndetsore.

Jemi vërtet me fat që kemi në udhëheqje të një institucioni shëndetësor një person me nivel të lartë të përgjegjësisë morale, karshi asaj profesionale.

Nëse ju duhem, më kontaktoni, jam i gatshëm sepse unë u ballafaqova me armikun e padukshëm dhe uroj që ju mos të përballeni.

Shpresoj të shihemi së shpejti. /Agron Abazi