Gjykata vendos për zyrtarin policor që keqtrajtoi të riun

Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit kundër zyrtarit policor Haris Kelmendi, i cili në një video-inçizim të publikuar para disa ditësh, shihet duke keqtrajtuar një 18-vjeçar brenda stacionit të policisë.

Gjykata ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë, duke ia caktuar të pandehurit masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji.

Ai dyshohet se ka kryer veprat penale Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike nga neni 195 paragrafi 1 të KPRK-së dhe Pengimi i të provuarit apo procedurës zyrtare nga neni 386 paragrafi 1, pika 1.3 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Njoftimi i plotë i gjykatës:

Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit H.K për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike nga neni 195 paragrafi 1 të KPRK-së dhe Pengimi i të provuarit apo procedurës zyrtare nga neni 386 paragrafi 1, pika 1.3 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Të pandehurit H.K. gjykata i ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji për veprën penale Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike nga neni 195 paragrafi 1 të KPRK-së, pasi që e njëjta ka konstatuar se janë përmbushur kriteret në bazë të nenit 187 paragrafi 1.1 dhe 1.2.2 të KPK-së.

Gjyqtaja e procedurës paraprake ka vlerësuar se masa e paraburgimit është masë adekuate për zhvillimin e papenguar në këtë çështje penale, pasi që ekzistojnë rrethanat që tregojnë rrezikun se po të gjendet i pandehuri H.K. në liri mund ti asgjësojë, fsheh, ndryshoj apo falsifikoj provat e veprës penale duke ndikuar në dëshmitarët, pasi që në këtë vepër penale janë të përfshirë edhe zyrtarë tjerë policor dhe kjo tregon rrezik se nëse i pandehuri do të gjendet në liri mund të pengohet rrjedha e procedurës penale.

I pandehuri H.K. dyshohet se në cilësinë e personit zyrtar – zyrtar policor ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare apo autoritetin.

Palët kanë të drejtë ankese kundër këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës.