Halil Mushica, njeriu i shtigjeve të gjata jetësore

Familja Mushica gjeneron prejardhje të familjes së mirëfilltë shqiptare, duke patur në vete intelektualë të cilët determinonin frymën e pastër të njerëzve të cilët jepnin frymëzim e ambicie për të ardhmen.

Halil Mushica, ka qenë një aktivist, patriot i shquar, dhe njeri i pendës, i cili kontriboi në arsim në mbi 40 vite.

Ai u shkollua në kushte të vështira, duke udhëtuar kilometra të tërë në këmbë, nga Kika për në Prishtinë. Madje, udhëtoi duke mos e ditur saktësisht edhe rrugën e maleve për të mbërritur tek caku i duhur.

Përgjatë rrugës e zinte shiu, e bora, duke u strukur nën trungujt e mëdhenj të lisave të gjatë, deri sa të ndalej për të vazhduar tutje.

Udhëtoi sepse e donte arsimin, ishte i pasionuar pas dijes. Përgjatë 40 viteve, si mësues, arriti të edukojë shumë breza, e t’i frymëzojë ata në frymën patriotike. Nxënësve të tij u thoshte vazhdimisht se, vetëm dituria mund ta nxjerrë popullin tonë nga shtypja e regjimi.

Halil Mushica, edhe pse tanimë i ka mbushur 90 vjet, ka një memorie të hatashme, duke i mbajtur të freskëta të gjitha kujtimet e kohës, dhe duke qenë në formë shumë të mirë fizike e shëndetësore.

Po ashtu, Halil Mushica, e mbanë mend luftën e Kikës e të Poliçkës, duke treguar histori e ngjarje të kohës, të cilat nuk mund t’i ndëgjosh nga çdokush. Ai është botues i disa veprave dhe, ka kujtime të mira me shumë shkrimtarë e publicistë të njohur të kohës.

Këtë familje e ka vizituar sot nënkryetari i Komunës, Arbër Ismajli.

“Për mua ishte kënaqësi dhe nder i veçantë të isha në familjen Mushica, respektivisht, tek mësuesi 90 vjeçar, Halil Mushica.

Qëndrimi me të, të bënë të mendosh se ky njeri asnjëherë nuk mund t’i ketë 90-të vite. Përjetimet, vështirësitë dhe, në anën tjetër, të arriturat e kohës, e kanë bërë këtë njeri të “çeliktë”, në arritjen e mbarshme të kësaj kohe.

Nga mësuesi Halil mësova se, kuptimi i jetës është të gjesh dhuntinë dhe frymëzimin tënd, ndërsa, qëllimi i jetës është ta ndash atë me të tjerët”, ka shkruar Ismajli./mediafokus.info