Hambarët ishin simbol i begatisë në një familje fshatare

Te familjet shqiptare, sot rrallëkund nëpër fshatra të largëta janë ruajtur hambarët si relikt, sepse më nuk përdoren për qëllimin që kanë pasur dikur. Kur dikush lavdërohej në fshat, zakonisht thuhej se filani e ka hambarin e madh dhe nuk mundet me shty gjithkush me të.

Hambarë zotëronin vetëm pasanikët, jo edhe shtresa e varfër e popullatës, e cila shpeshherë mbetej edhe pa miell në magje, e lere më të kishte më shumë, shkruan portali mediafokus.info.

Këto arka të mëdha prej druri, që ndryshe njiheshin edhe me emrin drithnik, shërbenin për të mbajtur drithë ose miell.

Përmendeshin me emra fshatarët që hambarët i kishin plot bereqet dhe që në Shën Gjergj dilnin pa i zbrazur të gjithë koshat e drithit.

Hambarë ka pasur deri vonë edhe në Vërbicë të Zhegocit, një fshat ky i largët i komunës së Gjilanit.

Të tillë ishin hambari i Tahirit, hambari i Shabanit, hambari i Kurdisë, hambari i Ramushit, hambari i Rifatit dhe të tjerë.

Të gjitha këto familje i përkisnin lagjes së Spahive, ku tani nuk banon njeri, sepse që të gjitha janë shpërngulur në Gjilan, Prishtinë, Shkup e gjetiu.

Në këtë lagje nuk ekzistojnë më as hambarët. I fundit ishte hambari i Metit.

Hambarët punoheshin me dru, sikundër edhe koshat.

Dallimi ishte se hambarët thureshin me dërrasa, kurse koshat bëheshin me thupra.

Në hambarë mbahej gruri, ndërsa në kosha, misri. Të dytë shërbenin për mbajtjen e drithërave dhe ishin simbolikë e bollëkut në një familje.

Arton Hoxha, drejtor në Qendrën Rajonale për Trashëgimi Kulturore, thotë se që nga Malësia e Kamenicës e deri te Malësia e Kaçanikut, që i përkasin pjesës së Anamoravës, janë evidentuar shumë objekte me vlerë, që janë dëshmi se kjo anë është e pasur edhe me këtë lloj trashëgimie.

Fuqia ekonomike e një familje matej me hambarin. Ata konsideroheshin magjja dhe sofra e shtëpisë.

Hajrije Zeqiri nga Vërbica tregonte shpesh se dikur në fshat, kur donin ta lavdëronin dikë, thoshin “filani e ka hambarin e madh”.

As nuse nuk jepeshin në familjet që nuk kishin hambar, gardh të lartë prej thuprash dhe një mokër të vogël në shtëpi.

Sipas logjikës së atëhershme, ai që i kishte këto tri gjera, drithin, miellin dhe drurin, nuk ngelej kurrë pa bukë e pa zjarr në shtëpi gjatë ditëve të dimrave të ftohtë e të gjatë.

Mokra ishte një mulli dore, ku mund të bluhej grurë sa për bukën e ditës, ndërsa gardhi thyhej për të ndezur zjarrin në shtëpi, derisa të hapeshin rrugët.

Hambarët kishin vetëm një derë kryesore që mbyllej me dry,sepse edhe drithin duhej ruajtur mirë.

Kurse plemet, për dallim prej hambarëve dhe koshave, që ndërtoheshin prej druri, përveç themeleve, përdoreshin për mbajtjen e ushqimit të kafshëve.

Në ditët e sotme, drithi nuk ruhet më nëpër hambarë prej druri, sepse nuk ka nevojë të krijohen rezerva të mëdha si dikur, ose të paktën nuk ruhet më nëpër shtëpia, por dorëzohet në drithnikë të mëdhenj dhe as bereqeti i bagëtive, nuk ruhet më nëpër pleme të mëdha.

Hambarët i përkasin tashmë një epoke të kaluar, por që edhe sot duken interesant atje ku mund të gjenden.

Hambarët ishin një model i shtëpive, por të përshtatur për nevoja tjera, jo për banim, por që ishin po aq të rëndësishëm për njerëzit, sa edhe vetë shtëpitë. /Mediafokus/