Historianë, mos i harroni heronjtë e heshtur!

Riza Strellci ishte atdhetar e rapsodist, i cili vdiq me këngën e fundit për liri në gojë. Tërë jetën ia ka kushtuar kombit shqiptar, ishte veprimtar i shquar i kauzës kombëtare.

Lindi më 6 janar 1904 në fshatin Vërbicë e Zhegocit, afër lagjes Bilinicë. E quanin edhe Rizah Zhegovci, meqë fshati bënë pjesë në malësinë e Zhegovcit.

Familja e tij ishte me prejardhje nga fshati Strellc, rrethi i Deçanit. Nga Strellci gjyshi i tij ishte shpërngulur në fshatin Bajashticë të Toplicës, kurse pas masakrave serbe mbi shqiptarët e Toplicës, kishte ardhur në Kosovë, në fshatin Tërbufc.

Shkollën fillore katër klasëshe në gjuhën serbe e kishte vijuar në Gjilan, por për arsye që dihen, e kishte braktisur. Për shkak të kushteve ekonomike Rizahu shpërngulet sërish dhe vjen në rrethin e Prishtinës, më saktë në Azizi, ish-Milloshevë, ku e ka edhe sot familjen e tij dhe djalin, Mustafë Strellcin.

Atdhetari i madh Riza Strellci ishte poet autodidakt. Ka lënë në dorëshkrim një numër të këngëve e poezive të bukura.

Ka marrë pjesë në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare gjatë viteve 1944 – 1945, me shpresë se përmes kësaj lufte do të realizoheshin të drejtat kombëtare të shqiptarëve.

Në luftë kishte treguar përkushtim, guxim e vendosmëri. Pas “çlirimit” ishte punësuar në organet komunale. Me qenë se kishte rënë në veshë të organeve të sigurimit shtetëror fjala e tij liridashëse, ishte burgosur dhe pastaj ishte dërguar në Burgun e Nishit, ku edhe ka vdekur.

Ramiz Qyqalla e çmonte shumë njeriun gojëmbël, rapsodin e atdhetarin, Riza Strellci. Ai tregonte se si Riza Strellci këndonte në Burgun e Nishit. Të burgosurit i mbante me moral të lartë me këngën dhe çiftelinë e tij. Tekstet i krijonte vetë dhe pastaj atyre ua bënte edhe melodinë, për t’i kënduar menjëherë.

Kishte thurë vargje me motive atdhetare, por edhe këngë të dashurisë:

Nji natë dola me shikju,
Oh sa bukur po zdritë hana,
Aty u ula me ligjru,
Për Kosovë, për vendet tona.
Kqyra bjeshkët ishin bleru,
Plot me pyje e me lavdri,
Na t’mjertë gjith tue vajtu,
Me Kosovë, me Çamëri

(Marrë nga artikulli “Muratori autodidakt” të autorit Sinan Gashi, Zëri, 23 janar 2010)

Të burgosurit, të cilët kishin qëndruar me të në burg, kanë treguar se Rizahu, pasi e kishte kuptuar se vdekja po i afrohej shpejt, sepse sëmundja e tij nuk kishte shërim, një ditë i thirri të gjithë të burgosurit shqiptarë dhe u tha: – Hajdeni, o vëllezër, këtu, përreth meje, se po dua t’ua këndoj një këngë që nuk e keni dëgjuar kurrë e kurrë më nuk do ta dëgjoni, se Rizah Strellci epat! Pas atyre fjalëve, të gjithë, sa kanë qenë të pranishëm, kanë qarë. Ishte bërë sikur edhe qielli po qante atë ditë. Ajo ditë kishte qenë e zymtë, me shi, me një erë që të çonte peshë. Dhe, Rizahu e këndoi këngën që e kishte krijuar vetë, me një temë interesante:

Hajde, hajde, mori Hatë,
Ta kanë pre ni fustan t’gatë,
Fustan t’gatë e pak të vjetër,
Veshe k’ta se nuk ka tjetër.

Në momentin e vdekjes Riza Strellci e kishte marrë çiftelinë në dorë dhe, duke ofsharë, i kishte shqiptuar këto fjalë: – Ah, moj e bekuar! Ishte ndalur dhe kishte marrë frymë thellë: – Rizah Strellci më nuk ka me të marrë në dorë! Këto fjalë të fundit i tha dhe fryma filloi t’i rëndohet. Pas tri ditëve vdiq në Burgun e Nishit, duke i lënë të burgosurit shqiptarë në mërzi e pikëllim të thellë.

Në fakt Rizahu e kishte kënduar edhe një këngë që nuk ishte dëgjuar më parë dhe as më vonë. Atë këngë enigmatike e kishte thur në burg, të cilën pati rastin ta këndonte vetëm njëherë. Ajo këngë sot e asaj dite mbeti e panjohur.

Rizahu shkëlqente si këngëtar i këngëve popullo pore. Këngët i krijonte dhe vetë i këndonte. Përmes këngës e oratorisë së tij bashkëkohësit, sidomos të burgosurit politikë, inkurajoheshin për qëndresë.

Për ta siguruar ekzistencën e familjes ishte detyruar të punonte në përpunimin e drurit dhe në ndërtimtari. Nga duart e veta e mbante familjen, kurse në mendjen e tij zhvillohej ideali i lirisë dhe i bashkimit kombëtar. Përmes këngës dhe propagandës që zhvillonte, Rizahu zhvillonte dashurinë ndaj Kosovës, ndaj Shqipërisë dhe Çamërisë, fliste kundër shpërnguljes së shqiptarëve në Turqi etj.

Ka bashkëpunuar me personalitete të rëndësishme të kohës, si me Ramë Bllacën, Ilaz Agushin, Idriz Gjilanin etj.

Rizah Strellci e donte librin, prandaj sillte libra shqipe nga Shqipëria, me qëllim të përhapjes së dijes, të kulturës e të arsimit në Kosovë. Librat më të mira e më të nevojshme për kohën ishin:Abetarja e gjuhës shqipe, poezitë e Gjergj Fishtës, poema e Pashko Vasës “O moj Shqypni, e mjera Shqypni”, Historia e Popullit Shqiptar, Kodi penal, një libër me vjersha të shkrimtarëve të Rilindjes Kombëtare, i quajtur “Këngëtore” etj.

Tahir Krasniqi, nga fshati Shipitullë i komunës së Kastriotit, kujton fjalët e babait të tij të thëna për Rizah Strellcin: – Baba më ka folur shumë për atdhetarin e shquar, Rizah Strellcin. Një herë në Bardh të Madh Rizah Strellci e ndërtonte tavanin e xhamisë së Bardhit të Madh. Dikush e kishte denoncuar se Rizahu ndodhej në Bardhin e Madh, te xhamia, duke punuar. Pas kësaj informate, xhandarmëria e Serbisë kishte nxituar për ta kapur.

Baba, me të vëllanë, Hysen Krasniqin, shpejt shkojnë dhe e informojnë Rizahun se xhandarmëria po vinte në drejtim të fshatit. Kështu, Rizahu largohet, duke e kuptuar se xhandarët e paskan mësuar vendndodhjen e tij. Në fillim u strehua te Mullini i Hoxhëve, që gjendej në hyrje të fshatit Bardhi i Madh, ndërsa librat i futi në qerren e vëllezërve Behram e Hysen Krasniqi. Pasi dita filloi të errej, Rizahu tërhiqet nga mulliri me ndihmën e babës dhe të mixhës tim dhe vendoset në kullën tonë. Rizahu qëndron për një kohë në shtëpinë tonë, por më vonë i pamundësohet qëndrimi aty, sepse dikush e kishte denoncuar përsëri në xhandarmëri.

– Për Riza Strellcin, – shpjegon më tutje Tahiri, – baba e mixha flisnin se ishte në ballë të veprimtarisë atdhetare, por ishte edhe mbledhës i këngëve shqipe. Thoshin se ai sillte libra shqipe nga Shqipëria.

Mustafë Strellci, i biri i atdhetarit Riza Strellci, në dhjetor 2007, ka thënë: – Jam shumë i prekur nga shkrime të disa historianëve, ku është shkruar njëanshëm, me pallavra, për disa figura historike. Së pari, janë injoruar. babai im, Rizahu, pastaj Ramiz Qyqalla dhe shumë figura tjera historike, të cilët ishin të merituar për çështjen kombëtare. Shpresojmë se një ditë do të dalin historianë të paanshëm, të cilët do të hedhin dritë për këta heronjë të heshtur. Atdhetarët nuk i përkasin vetëm një familjeje, po tërë kombit. Dhe, është detyrë e të gjithë neve të shkruajmë sa më shumë për këta heronj të çështjes kombëtare e ta zbardhim sa më shumë historinë kombëtare, pa lënë anash asnjë ngjarje apo personalitet. Nuk duhet të bëjmë gara mes vete se kush do të jetë “në maje” e kush “në bisht” të historisë. Kalaja nuk ndërtohet nga pak, por nga shumë argatë./I huazuar/