Ibishi: Jam me qytetarët, nuk jam as me pozitën, as me opozitën

Ibish Ibishi, këshilltar i pavarur në Kuvendin Komunal të Gjilanit, është sqaruar sot sa i përket qëndrimit të tij në lidhje me lokacionin e ri të varrezave, duke thënë se ai nuk është as me pozitën, as me opozitën, por me qytetarët, raporton MediaFokus.info

“Unë nuk jam as me opozitën, por as me pozitën në lidhje me problemin e lokacionit të varrezave të qytetit, por jam në anën e qytetarëve, sepse ata i përfaqësoj këtu”, ka thënë Ibishi.

Ai e kishte ndie të nevojshme të sqarojë pozicionin e tij, meqë e kishte përkrahur nismën e një pjese të opozitës për të seancë të jashtëzakonshme, ku u diskutua ky problem.

Opozita (LVV dhe gjysma e anëtarëve të PDK) ndërkohë kishin dalë me qëndrimin se nuk do të marrin pjesë në seancat e Kuvendit dhe të Komiteteve, derisa nuk thirret vazhdimi i seancës së jashtëzakonshme, për të marrë një vendim.

Për dallim prej atyre, Ibish ka marrë pjesë në seancën e rregullt të Kuvendit dhe ka dhënë kontributin e tij si këshilltar i pavarur në të gjitha pikat e rendit të punës.

Përndryshe, Ibish Ibishi, ish-anëtar i AAK-së, tani këshilltar i pavarur, shquhet për mendimin individual në të gjitha temat që trajtohen në Kuvend Komunal./MediaFokus/