Ibrahim Uruqi ishte një nga djemtë më të mirë dhe më të vendosur të UÇK-së

Nehat Ibrahimi

(Pjesë nga ditari im i luftës)

Ibrahim Uruqin, tashmë dëshmor, e kam njohur që në vitin 1989, në Postojnë të Sllovenisë, ku ai po kryente shërbimin ushtarak, ndërsa unë punoja në armatën e atëhershme jugosllave.

Prej atëherë u bëmë miq të mirë e më vonë edhe miq shtëpie.

Te Ibrahimi gjithmonë vëreja një brengosje të thellë për vendin dhe popullin në situatën e krijuar sociale dhe politike asokohe në Kosovë, sidomos pas vitit 1989, kur Serbia i suprimoi edhe ato të drejta që shqiptarët i kishin deri atëherë.

Pas ngjarjeve në Prekaz (5, 6 e 7 mars 1997) u mblodhëm me Ibrën për të diskutuar se çfarë duhet bërë rreth përgatitjeve pasi që lufta ishte e pashmangshme.

E ri-takova pas kthimit tim nga Shqipëria dhe pas daljes së tij nga burgu.

Edhe pse fizikisht ishte i dërmuar nga torturat që i ishin bërë gjatë kohës së burgut, ai nuk e kishte humbur aspak kurajën për të luftuar për lirinë e vendit të vet.

M’u lut që tani e tutje ta merrja me vete.

Me qëllim që të pushonte dhe të këndellej edhe pak nga burgu, unë i premtova se së shpejti do të takoheshim.

“O ngelq, të lutem mos u vono se kam shumë haqe për të marr ndaj këtyre qafirëve” më tha.

I premtova se posa të mbaroja disa punë në ZOP, do të kthehem në Karadak dhe do ta ftojë.

Ibra nuk e kishte pritur ftesën time dhe shumë shpejt ishte kyçur në Zonën e Karadakut, që shtabin e kishte në Malësinë e Zhegocit.

Nuk pata rast ta takoj as në Zhegoc, meqë e kishin sistemuar në Ponesh ose Gadish, nëse nuk gaboj. Në Zhegoc e takova një pjesë të grupit të tij, por Ibrahimin jo.

Pas ofensivës së Zhegocit dhe depërtimit tonë me sukses dhe pa dëme nga Malësia e Zhegocit në atë të Marecit, natën e 17-18 prillit, gjatë kohës kur po pozicionoheshim me njësitin tim te vendi i quajtur “Te Metrat” mbi lagjen e Gërbeshëve, derisa unë po bisedoja me kolegun Isa Agushi, në një natë jashtëzakonisht të errët, dëgjova një zë:

“O ngelq (kështu e thërrisnim njëri-tjetrin) a gjallë je a?”- ishte Ibrahimi. “Po, po, bile edhe i fortë guri o ngelq” ia prita.

U përqafuam. E pyeta si ishte? Shkëlqyeshëm, më tha. Tanimë që jam nën petkun e UÇK-së, nuk ka serb që na ndal kështu të bashkuar, vazhdoi Ibra.

Isës i tregova se Ibra është një nga djemtë që kaherë ia kishte kthye tytën armikut.

Pas këtij takimi të shkurtër, u përqafuam me Ibrën dhe ne u larguam drejt pozicioneve tona.

Kjo ishte hera e fundit, që atë natë të errët u pamë me Ibrahimin, pasi që ofensiva na mori para vete dhe nuk patëm rastin të shiheshim më kurrë.

Nga ajo çfarë kam dëgjuar nga bashkëluftëtarët e tij, natën e rënies së njësitit të Isës në pritë të forcave serbe, në hyrje të lagjes Bullovit, Ibrahimi ka zhvilluar një luftim pothuajse gjoks më gjoks me forcat serbe, ku edhe bie në altarin e lirisë, për të mos vdekur kurrë./mediafokus.info/