Ibrahimi: Bombolat e gasit janë ‘bomba’ brenda shtëpisë nëse nuk mirëmbahen me rregull
Përdorimi i gasit është përhapur me të madhe viteve të fundit, kudo në botë, mbase edhe për shkak të çmimit më të ultë se energjia, si një alternativë për ngrohje, për përgatitje të ushqimit nëpër restorante e amvisini, si dhe shërbime të tjera, shkruan Mediafokus.info
Por, jo rallë ka ndodhur që gasi të bëhet shkaktar i tragjedive në ambiente familjare e publike, për shkak të përdorimit të gabuar të pajisjeve, përkatësisht mosmirëmbajtjes teknike të bombolave.
Nehat Ibrahimi, eskpert për mbrojtje nga zjarri, thotë se depozita (bombola) duhet të kontrollohet çdo pesë vjet.
“Kjo bëhet me ndihmën e presionit të ujit të ftohtë, ku përcaktohet nëse qepjet në depozitë janë liruar ose nëse depozita është gërryer nga korrozioni.
Pas këtij kontrolli, në depozitë vendoset një vulë, e cila tregon kohën kur është bërë kontrolli i fundit.
Elemente tjera që duhet të kontrollohen janë zorra (tuba) adekuate, valvuli (ventili), unaza mbyllëse nga goma.
Sa herë që ndërrohet depozita (bombola) e gazit, duhet të ndërrohet edhe unaza mbyllëse nga goma e cila ndodhet midis cilindrit dhe valvulës (ventilit) së reduktimit të presionit.”
Gazi ka aftësinë të dekompozojë disa lëndë si unaza mbyllëse nga goma dhe për këtë arsye mund të dëmtohet, thotë eksperti Ibrahimi.
“Pas çdo përdorimi, duhet të siguroheni që valvula në depozitë (bombolë) është e mbyllur, sepse nëse jo, atëherë ngadalë bëhet një përzierje shpërthyese.
Duhet kontrolluar po ashtu rregullsia e zorrës (tubës), sepse nëse ajo është e brishtë dhe përdoret për një kohë të gjatë, mund të ndodhin çarje të vogla, të cilat nuk mund të vërehen menjëherë.
Rregullsia e zorrës mund të testohet me sapun dhe detergjent të zakonshëm.
Zorra duhet të lyhet me sapun apo detergjent e pastaj duhet të lëshohet gazi dhe nëse krijohen flluska, kjo është një shenjë se zorra nuk është e mirë dhe duhet të ndërrohet.”
Ibrahimi këshillon që në rast të rrjedhjes së gasit, të mos ndizet drita në ambientin ku gjendet depozita (bombola), por ajo të nxirret jashtë menjëherë.
“Nëse ndjeni një erë të hidhur në shtëpi, dijeni se gazi po rrjedh diku. Në atë situatë, ndërprerësit e rrymës nuk duhet të preken në asnjë mënyrë, sepse mjafton edhe një shkëndijë e vogël për të shkaktuar shpërthim.
Për të parandaluar shkëndijat, nuk duhet të ndizni ose fikni pajisjet dhe mjetet elektrike, përfshirë ndriçimin, zilen elektrike, pajisjet e komunikimit elektronik (telefon celular dhe të tjera), nuk duhet të ndizni zjarr, të pini duhan.
Menjëherë duhet të ndërmirren masat për largimin e njerëzve nga ambienti i ndotur nga rrjedhja e gazit.
Nëse është e mundur duhet të informoni për masat paraprake njerëzit në ambientet ngjitur me ndërtesën e banimit, përfshirë banimin e përbashkët, lokalet në ndërtesën e banimit (hyrja, korridori, shkallët etj.).
Hapi tjetër është që të dilni nga dhoma ku është zbuluar rrjedhja e gazit dhe të shkoni në një vend të sigurt, nga ku mund të raportoni rrjedhjen e gazit te stafi menaxherial i organizatës apo nëse është e nevojshme, shërbimet tjera emergjente në numrin 112.”
Sipas Ibrahimit, ndërprerësit janë një nga shkaktarët më të zakonshëm të shpërthimeve, sepse njerëzit nuk i shohin ato shkëndija.
“Në situata të tilla, vetëm duhet të bëhet ajrosja e ambientit (dhomës) dhe të nxirret depozita jashtë mundësive të kontaktit me burimin e energjisë elektrike.
Kur depozita (bombola) e gazit digjet, nuk ka nevojë për panik, sepse atëherë nuk mund të ketë shpërthim.
Ajo që duhet të bëni në raste të tilla, është që të merrni një batanije të trashë, të mbuloni bombolën dhe të shuani zjarrin. Pastaj është e nevojshme të mbyllni mirë valvulën.”
Disa këshilla tjera nga eksperti Ibrahimi:
Bleni depozitat (bombolat) nga subjektet e autorizuara që kanë pika të shitjes me pakicë të GLN-së (preferohet zëvendësimi i bombolës bosh me atë plotë)
Mos e mbani bombolën në ambiente (dhoma) nën nivelin e tokës
Kur përdorni bombola, ajo duhet të vendoset në distancat e përcaktuara nga burimet e nxehtësisë dhe burimet e ndezjes [për shembull, dy metra nga soba
(shporeti) elektrik apo i druve, një metër nga soba që përdor GLN]
Mbajeni bombolën gjithmonë në pozitë vertikale (në këmbë)
Materialet e ndezshme (gazeta, rroba,…) nuk duhet të mbahen rreth bombolës. /Mediafokus.info
Foto: N.Ibrahimi