Ismajli: Ambienti ku i rrisim fëmijët tanë dhe ku jetojmë ne, nuk guxon të ketë pamje të tillë

Lagja Iliria (Kamnik) po shfrytëzohet si një kontejner i madh publik për hedhjen e mbeturinave jo vetëm nga banorët e atjeshëm, por edha nga ata të periferisë që këtu sjellin me vetura mbeturina të ngurta e industriale.

Aty sheh dyshekë të vjetër, vaskë, sanë e barishta tjera nga kopshtiet, mbeturina metali e gjithçka tjetër që e shëmton një ambient jetësor dhe që nuk përkon me një kulturë qytetarie.

Së fundi intervenoi Komuna për të larguar grumbullin e mbeturinave në këtë lagje, meqë kompania “Ecohigjiena” nuk merr mbeturina tjera pos atyre të amvisnisë.

“Në Lagjën “Kamnik” kemi bërë pastrimin e mbeturinave të hekurta dhe kashtës së hudhur jashtëligjshëm në tokë nga banorët e pandërgjegjshëm. Këto imazhe na e prishin imazhin e një ambienti të pastër dhe na bënë të mendojmë edhe më shumë për alternativa tjera për keqpërdoruesit”, ka thënë nënkryetari i Komunës, Arbër Ismajli, në një postim në profilin e tij.

Ky është postimi i tij:

Ambienti publik, ku i rrisim fëmijët tanë, e mbi të gjitha, pjesa e hapësirave publike ku jetojmë, nuk guxon të ketë një pamje të tillë. Kjo formë jo e mirë e mosmirëmbajtjes së hapësirave publike, nuk na bënë kredibil dhe të përshtatshëm si vend demokratik.

Përgjatë fillimit të kohës së pandemisë, në Lagjën “Kamnik”, kemi bërë pastrimin e hapësirave mbrapa ndërtesave kolektive, të cilat hapësira ishin në të njëjtin imazh.

Ju bëjmë lutje dhe thirrje të veçantë të gjithë banorëve të kësaj pjese, që të vendosin parim dhe angazhim në ruajtjen e mirëfilltë të ambientit rrethues, pasi që, në mentalitetin tonë, duhet të ndërtohet njëherë e përgjithmonë, një dashuri më e madhe ndaj hapësirave të pastra rrethuese, duke ndërtuar përceptim dhe aspiratë të lartë, si një nga qytetet me vlera të mëdha ambientale./mediafokus.info