Ku fshihet mes malesh në Kosovë “ujët e bekuar”?

Kur vajzave nuk u dilte kësmeti, ato shkonin te ky burim uji, lidhin një pe të kuq, ose ngjyrë tjetër, në drurët përreth dhe ktheheshin të lumtura në shtëpi, në pritje që fati do t`iu ndryshojë për së miri.

Amviset shkonin kur lopët nuk jepnin qumësht mjaftueshëm, ndërsa bujqit shkonin për t`u lutur për mbarësi në të mbjella.

Ky burim uji gjendet në malet e Zhegocit. Dikur njerëzit shkonin aty për të marrë ujë për shëndet të mirë, sidomos ditën e Shëngjergjit.

“Sa herë vinte dita e Shën Gjergjit, nëna zgjohej herët dhe na stërpikte me ujë bumulloci, derisa ne ishin ende në gjumë, duke u lutur që të kishim shëndet”, tregon Syzana Bajrami për MediaFokus, e cila kujton ditët kur ishte fëmijë, ndërkohë që tani është nënë e tre fëmijëve.

Zona e Zhegocit është një tokë plot me mrekulli natyrore. Sipas legjendave, dikur kjo anë ishte aq dendur e banuar sa që macja ka mundur t`i bëjë tri kilometra rrugë, duke kaluar nga çatia në çati, pa zbritur fare në tokë.

Këtu janë gjetur themele të një qytetërimi të lashtë, që besohet të jenë të periudhës romake. Përgjatë rrjedhës së lumit, gjenden  edhe mbeturina xehesh të përpunuara.

Gjithsesi bumulloci është një margaritar në malet e Zhegocit, që bashkojnë territorin e dy komunave fqinje, Gjilanit e Lipjanit.

Njerëzit janë kureshtarë për të parë këtë vlerë natyrore, që rri e fshehur mes pyjesh me drurë të lartë dhe shekullor, që mbase ruajnë shumë fshehtësi të atyre hallexhinjve që kanë ardhur te ky vend për të ndryshuar fatin e keq dhe për të shpresuar për ditë më të mira.

Në këtë krua, që është diçka më shumë se një burim nëntokësor, ujët del nga toka duke gurgulluar dhe kthehet përsëri mbrapsht, pa e rritur dhe as pa e ulur nivelin e kroit.

Banorët e kësaj ane thonë se ujët e këtij kroi është përdorur nga qytetarë të shumtë për kurimin e syve, reumës, hemorroideve dhe sëmundjeve të tjera.

Ajo që të bënë përshtypje, është besimi i banorëve të kësaj ane në magjinë shëruese që ndodhet në këtë krua, përkatësisht në këtë burim uji.

Njerëzit nuk e përdorin për pije. Studime dhe as analiza për përbërjen e tij nuk janë bërë.

Një margaritar kaq i rrallë si bubulloci në Zhegoc, që nuk ka një të dytë diku tjetër, nuk duhet të mbetet i fshehur mes maleve, por duhet të nxirret në pah dhe të kthehet në një pikë atraktive për vizitorë.

Legjendat thonë se një plak e kishte hedhur shkopin e tij në bubulloc dhe pas disa ditësh e kishte gjetur te një burim uji në Gjilan, që kanë një distancë mes vete rreth 10 kilometra.

Për “ujët e bekuar”, që as nuk rrjedhë e as nuk shterrë, ka edhe legjenda tjera në këtë zonë, që banorët vazhdojnë t`i rrëfejnë edhe në ditët e sotme, ashtu siç i kanë trashëguar brez pas brezi.

Por, pavarësisht legjendave, bumulloci është një vend real, ku njerëzit e kësaj ane shkojnë edhe sot për nevoja të ndryshme. Ata kanë lënë gjurmët e veta te ky vend. Sidomos ditën e Shëngjergjit.

Shëngjergji është një kremte e lashtë pagane iliro-dardane, e cila shënohet si ditë e ardhjes së verës dhe ikjes së stinës së dimrit. Shëngjergji shënohet në mënyra të ndryshme, varësisht nga krahinat./MediaFokus/