Ku ka dështuar Kosova deri tani në menaxhimin e pandemisë?

Vana Jerliu-Ramadani

Situata me COVID-19 në Kosovë po bëhet alarmante pasi autoritetet shëndetësore atje kanë dështuar në organizimin e vaksinimit të popullatës.

Regjistrimi i popullatës online për vaksinimin kundër COVID-19 po del të jetë një nga vështirësitë më të mëdha në procesin e vaksinimit.

Disa persona kanë telashe të regjistrohen online për arsye të ndryshme dhe nga ky shkak kanë mbetur pa u vaksinuar. Në këtë gjendje, ata jo vetëm që janë të rrezikuar për vete që të preken nga virusi, por mund të jenë edhe burim i shpërndarjes së infeksionit, nëse preken nga Delta, një variant ky lehtë i transmetueshëm tek personat tjerë.

Një problem i tille, bën që disa prej qytetarëve të humbasin mundësinë e vaksinimit, e disa ndodhë ta humbin edhe durimin për interesim tutje.

Obligimi për regjistrim online duhet të hiqet nëse duam përfshirje masive të popullatës në vaksinim, duke u dhënë mundësinë për imunizim të gjithëve dhe jo vetëm atyre që posedojnë teknologji dhe që dinë ta përdorin atë. Mundësia për vaksinim madje duhet t`u jepet pa asnjë kusht edhe atyre që nuk posedojnë dokumente.

Nëse hiqet obligimi për t`u regjistruar online, atëherë duhet të sigurohen më shume qendra vaksinimi në qytete dhe patjetër edhe në fshatra, ku jeton gjysma e popullatës së Kosovës.

Po ashtu ka nevojë për një fushatë më të fortë për vaksinimin e popullatës, sepse ende disa persona nuk janë të informuar sa duhet për rrezikun e infektimit me Covid-19 dhe si dhe rëndësinë e vaksinës për të mbrojtur jetën e tyre, të familjes dhe të të tjerëve.

Të kemi parasysh se ky është një vaksinim që bëhet për herë të parë dhe ka mundësi qe për disa të jetë edhe i frikshëm, edhe shkaku i të pa njohurave që mbart me vete sëmundja.

Duhet të ngritën më shumë ‘task forca’ për edukimin e popullatës sa i përket vaksinimit kundër COVID-19.

Shumë e rëndësishme është që qendrat e vaksinimit të kenë të gjitha informatat e duhura dhe të sakta për personat që kanë alergji të ndryshme dhe si duhet të veprohet në rastet e tilla. Është e pajustifikueshme të kthehen mbrapa personat e tillë, për arsyen se qendra nuk ka informata të mjaftueshme për këtë vaksine dhe personat me alergji te ndryshme.

Njëherësh, qytetarët duhet të kenë in formacione të mjaftueshme se ku mund të vaksinohen më së afërmi.

Përpos vaksinimit, bartja e maskave duhet të jetë obligative, sepse jemi në një situatë shumë të vështirë dhe nuk ka kohe e as vend për dëshira.

Po ashtu, obligativ duhet të jetë edhe testimi për COVID-19 dhe të jetë falas për të gjithë. Pika testimi duhet të ketë sa më shumë që është e mundur, në qytete dhe fshatra.

Autoritetet shëndetësore duhet të ulen dhe të pranojnë të vërteten se deri tani plani i tyre nuk ka funksionuar. Dëshmi për këtë është rritja dramatike e rasteve të infektimit.

Pra nëse krahasojmë numrin e personave te infektuar me numrin e popullatës së Kosovës, del një përqindje marramendëse, një shifër e frikshme e infeksionit. Mjerisht, kjo gjendje, disave u ka kushtuar me jetë dhe ata nuk mund të rikthehen më.

Autoritetet shëndetësore duhet ta kuptojnë se tani do të jetë shumë vështirë mbyllja e vendit si më herët. Pra tani në këtë gjendje alarmante, prioritet për autoritetet shëndetësore duhet të jenë menaxhimi më i mirë i procesit të vaksinimit, i pikave të testimeve dhe testimet të bëhen falas për të gjithë.

Maskat, distanca fizike dhe higjiena, janë të padiskutueshme.