Kush është shqiptari që s`e kapi asnjë plumb nga rafali i automatikut?
Skënder Selimi nga Zhegra e Gjilanit nuk do ta harrojë kurrë tmerrin që ka përjetuar në luftën e Kosovës. Një paramilitar serb i hyri në shtëpi për ta vrarë, por Skënderin e mbrojti një fuqi mbinjerëzore nga plumbat e automatikut që u derdhën drejt tij, nga një afërsi e pabesueshme prej 3-4 metrash.
Skënderi jetonte në Gjilan, por më 29 mars 1999 vendosi që të shkonte në Zhegër, te nëna e tij. Fshati ishte mbushur me paramilitarë. Ata po prisnin natën për të filluar lojën e tmerrit mbi shqiptarët e paktë që kishin mbetur ende nëpër shtëpitë e tyre. Kaluan edhe afër shtëpisë së tij.
Rrëfimi i Skënderit është rrëqethës. Nënës i thashë “sonte do të na hajë dreqi”. Nga dritarja i pamë paramilitarët që kishin marrë me vete Milazimin me dy gra dhe një fëmijë 12-vjeçar. Njëherë më shkoi mendja që të shkojë në Nasalë, një fshat aty afër, por nuk munda, sepse edhe fëmijët e kushëririt, Naserit më luteshin të rrija aty.
Ndiheshin më të sigurt kur ishim bashkë. Shpejt iku dita dhe nata erdhi me krisma automatikësh në fshat. Ne po heshtnin si të vdekur. Ora e ligë kishte ardhur. Një paramilitar trupshkurtër, i zi, po na mbante nën vëzhgim nga oborri i shtëpisë së Tomë Mihajlloviqit, përballë shtëpisë sonë. Atë natë nuk ndodhi asgjë me ne.
Të nesërmen në mëngjes, kur nëna e hapi derën e oborrit, paramilitari zbrazi një rafal në drejtim të saj. Kur unë u afrova te nëna, për të parë se çka kishte ndodhur, edhe në drejtim timin u zbrazën plumba me rafal, por nuk më zuri asnjë. Diçka më mbrojti nga kjo egërsi serbe.
Ushtari serb, i zi në pamje, erdhi pas meje në shtëpi, ku filloi të shijë pa ndërprerë drejt meje, nga një afërsi e pabesueshme. Unë isha në dhomë e ai shtinte nga pragu i derës, që nuk kishte më shumë se 3-4 metra. Diçka po më mbronte sërish, sepse plumbat iknin tutje meje.
I tmerruar nga ajo që po shihte, paramilitari serb më rroku për trupi, ma mbështeti pushkën në këmbë dhe më qëlloi. Rashë për tokë. Ndërkohë erdhën edhe paramilitarë të tjerë në shtëpi. Kërkonin para, ari, gjera me vlerë.
Rrëfimi i Skënder Selimit nuk mbaron këtu. Këtu fillon lufta e tij për jetën, pasi ishte plagosur në këmbë. Nëna nuk dinte se çfarë të bënte. Kishte frikë se po vdes. Hoqi shaminë e vetë dhe ma lidhi plagën. Më dha edhe pak ujë se po digjesha nga zjarrmia.
Tre serbë tjerë që erdhën më vonë, eprorë të tyre, na thanë se kishim qenë me fat që paskemi shpëtuar. Sipas tyre, paramilitarët kishin qenë të dehur.
Sikur për t`i humbur gjurmët e krimit të tyre, dikush prej tyre e kishte ftuar autoambulancën për ta dërguar Skënderin në spitalin e Gjilanit. E kishin lënë në korridor.
Aty luftova me vdekjen. Ishte kohë lufte. Në spital dëgjoheshin britma të njerëzve. Në Mogillë ishin vrarë mes vete ushtarët serbë për mallin e plaçkitur nga shqiptarët.
Një motër tha: “Vdiqën katër, gjashtë, shtatë…”. Mjekët serbë vraponin nëpër spital për t`i shpëtuar ata që mundnin. Shumica e tyre ishin serbë të ardhur në spitalin e Gjilanit nga Leskovci e Vranja. Unë pashë njerëz që vinin këtu pa këmbë, pa duar, të vdekur. Ishin gra, burra, fëmijë.
Në kujtesën time kanë ngelur disa fëmijë, që ishin nga fshatrat e Ferizajt. Qanin e bërtisnin. Ishin me plagë. Serbët thoshin se i kishte goditur NATO-ja, por e vërteta ishte ndryshe. Krimin e kishin kryer forcat serbe, të cilat nuk kursenin as fëmijët.
Nëpër korridoret dhe dhomat e spitalit po hynin e dilnin ushtarë e paramilitarë. Në dhomën time hyri një ushtar me një thikë në dorë. Mendova se do të na pres të gjithëve. E mbulova kokën me batanije. Por në ato momente u dëgjua një ushtimë e madhe.
Ushtari me thikë në dorë u tmerrua nga bombardimi i NATO-s dhe iku me vrap nga dhoma, për ta fshehu kokën diku.
Vendosa të ik nga spitali me e pyetur askënd. Besoja se kisha fuqi sa për të shkuar me njërën këmbë deri te banesa ime, që nuk ishte larg prej spitalit. Rrugën e përballova disi, por shkallët deri në katin e tretë nuk i ngjitja dot. I bëra dy orë derisa arrita.
Dymbëdhjetë ditë qëndrova në banesë, i plagosur. Pastaj, bashkë me nipin tim morën rrugë për Bllacë, atje ku ishin dëbuar mijëra shqiptarë tjerë nga Kosova.
Në Stankovec, më morën mjekët francezë dhe më trajtuan tetë ditë në një spital. Tetë muaj të tjerë i kalova në Tetovë, te motra.
Kur u ktheva, shtëpinë në Zhegër ma kishin djegur të tërën. Nuk u mërzita aspak. Familja kishte shpëtuar, edhe unë isha gjallë, thotë Skënder Selimi, që tani ka rindërtuar jetën, por shpirti i tij mbetet i lënduar përjetë nga ato që përjetoi.
Ai i mbijetoi breshërisë së plumbave që u derdhën mbi të nga afërsia. Skënderin e mbrojtën engjëjt. Ndryshe nuk di si ta shpjegojë fatin e tij as ai vetë./mediafokus.info