Kush ishin babë e bir që vuajtën burg në një çeli? 

Shqiptarët kanë bërë shumë vite burg nëpër kazamatet jugosllave e serbe, por rasti i Ramiz Cërnicës dhe Raif Halimit nga Cërnica e Gjilanit, është i veçantë në këtë histori, sepse atyre u ka rënë të vuajnë një pjesë të dënimit në një dhomë.

Autoritetet e burgut në Mitrovicë të Sremit, duke mos e ditur lidhjen e tyre, i kishin vendosur në një çeli babë e bir, shkruan mediafokus.info

Ramiz Cërnica është burri me plis të bardhë që i tha “jo” bashkimit me Serbinë. Për shkak të këtij qëndrimi, ai dhe familjarët u dënuan me njëqind vite burgim.

Ramiz Cernica inkuadrohet në Lëvizjen Kombëtare, në vitet e njëzeta të shekullit të kaluar.

Vazhdimisht kundërshtoi padrejtësitë ndaj popullit shqiptar, duke luftuar për të drejta kombëtare.

Me ngulm kundërshtonte kolonizimin e Kosovës si dhe shpërnguljen e dhunshme të shqiptarëve për në Turqi.

Për shkak të qëndrimeve të tij kombëtare, burgoset nga pushteti serb, vazhdon portali mediafokus.info.

Gjatë viteve 1941-43, kur rajoni i Gjilanit ishte në autoritetin Italian, ai ushtroi detyrën e kryetarit të Parteshit.

Në vjeshtën e vitit 1943, pas kapitullimit të Italisë, shkoi si delegat në formimin e Asamblesë së Qeverisë së Shtetit Shqiptar në Tiranë, që ishte një besim i madh ndaj tij.

Udhëheqja e LNÇ-së, Ramiz Cernicës i afroi mundësinë që të marrë pjesë në Konferencën e Bujanit, por ky nuk e pranoi ofertën.

Pas hyrjes së brigadave partizane në Gjilan, më 16 nëntor 1944, Ramizi burgoset dy herë, por shpejt lirohet.

Në korrik të vitit 1945, Ramizi si delegat i rrethit të Gjilanit mori pjesë në Konferencën e Prizrenit, ku edhe formalisht po zyrtarizohej aneksimi i Kosovës nga ana e Serbisë.

Ramizi guxoi që haptas të deklarojë se është kundër këtij aneksimi, duke shprehur njëkohësisht vullnetin e popullit të Kosovës për bashkim me Shqipërinë.

Në Konferencën e Prizrenit, Ramizi, pasi dëgjoi nga referati hyrës se partia kishte vendosur që Krahinën tonë t’ia bashkojë Serbisë, pa e pyetur farë popullin e saj, u ngrit dhe shprehu mospajtimin e tij.

“Për ne Serbia është njerkë, kurse Shqipëria është nënë. Prandaj po them, me Serbinë –Jo, me Shqipërinë – Po”, tha Ramizi.

Me t`u kthyer në Gjilan, menjëherë e burgosën dhe e dënuan me 20 vjet burg të rëndë.

Rrugën e babait e ndoqi edhe i biri Raifi. Për shkak të aktivitetit të tij atdhetar, Gjykata Ushtarake e Shtabit Operativ në Prishtinë e dënoi atë me vdekje, dënim ky që më vonë iu zëvendësua me 20 vjet burg të rëndë.

Raifin e dënuan për arsye se si komisar i Batalionit Partizan të Rinisë në Drenicë, me tërë batalionin e vet kishte kaluar në anën e Shaban Polluzhës dhe se kishte organizuar likuidimin e Shtabit të Brigadës në Prekaz.

Gjatë kohës së vuajtjes së dënimit, atij i bie të takohet në burg me babanë Ramizin.

Kur autoritetet e burgut e kuptuan lidhjen e tyre, reaguan menjëherë dhe i ndanë. Në këtë burg, në Mitrovicë të Sremit, i kaloi 18 vite.

Raifi nuk ishte nga ata njerëz që qëndrojnë duarkryq në burg dhe i kalojnë ditët e vitet duke pritur të dalin nga andej.

Ai gjeti mënyra që të punojë për kombin e tij edhe në burg, ku shkroi librin “Historia jonë kombëtare”.

Për fat të keq, hetohet nga policia e burgut dhe dorëshkrimi i merret. Për këtë dorëshkrim, Raif Halimi dënohet me 8 vjet burgim në vetmi.

Përsëri, nuk qëndroi duarkryq. Në kushte tepër të rënda, ai hartoi Fjalorin e parë shqip-serbokroatisht.

Pra, me pranga në duar shkroi histori kombëtare dhe fjalor. Fjalorin e shkroi nëpër qoshe të gazetave, të cilat i ruante në një thes. Duke e parë shpeshherë me thes në dorë, të burgosurit mendonin se ai ishte i marrë dhe nuk pandehnin se aty po ruante diçka me vlerë.

Por, fati i Halimit i ndoqi edhe dorëshkrimet e tij. “Historia jonë kombëtare” dhe “Fjalori shqip-serbokroatisht”, të shkruara në burg, edhe sot e kësaj dite nuk e panë dritën e botimit./mediafokus.info