Kush ishte antikomunisti nga Busavata që asnjëherë nuk mori pjesë në zgjedhje?

Asllan (M) Maliqi nga Busavata e Kamenicës jetoi dhe shkoi me merakun e bashkimit kombëtar. Ai ishte antikomunist i përbetuar, i cili asnjëherë nuk mori pjesë në zgjedhje në pushtetin komunist.

Asllan Maliq Maliqi ishte i lindur në fshatin Busavatë, komuna e Kamenicës (1898-1965). Jeta e kishte kalitur asisoj që përherë i qëndroi përkrah të drejtës, punës, bamirësisë. Ishte shembull për atdhedashuri dhe burrëri.

Si djalë i madh i Maliq Maliqit, burrë i odave e i krenarisë familjare, Asllan Maliqi, për të mbajtur familjen, që në rini të hershem iu desh të merret me bujqësi. Pos si bujk  shembullor, më vonë u bë edhe murator i zoti dhe shumë i kërkuar, pastaj hapi edhe një dyqan në fshat.

Si njeri përparimtar, atdhetar e humanist, një kohë ishte edhe kryetar komune në Kamenicë. Si arsimdashës i flakët, Asllani kishte mësuar vet shkrim-lexim.

Për shkak të aktivitetit të tij politik e patriotik, burgoset dhe torturohet fizikisht në burgun famëkeq të Gjilanit.

Asllani jetoi dhe vdiq si një antikomunist i përbetuar, që asnjëherë nuk mori pjesë në zgjedhje dhe as nuk votoi për shkak të mospajtimeve që kishte me ideologjinë komuniste të kohës.

Daut Maliqi, gazetar nga Kamenica duke e rikujtuar kështu babanë e tij, thotë se ai shkoi nga kjo botë me merakun për bashkimin kombëtar, ëndërr kjo që e mbajti në mendje dhe në zemër tërë jetën e tij.