Dita ndërkombëtare e romëve: Ky ishte përfaqësuesi i parë rom në vendimmarrjen komunale 

Komunitetet në Gjilan, pavarësisht numrit të tyre, pas luftës janë përfaqësuar në Kuvendin Komunal përmes formulës së emërimit, serbët për shkak të bojkotimit të zgjedhjeve, ndërsa turqit dhe romët për arsye se nuk kishin vota të mjaftueshme për të siguruar ndonjë ulëse në vendimmarrje.

Komunitetin rom e ka përfaqësuar Tefik Agushi, një personalitet konstruktiv dhe mirëkuptues ndaj realitetit të ri, ku kontribuoi për integrimin e bashkësisë nga e cila vinte në shoqërinë kosovare, shkruan portali mediafokus.info.

Agushi nuk e pati fatin të përfundojë mandatin, meqë ndërroi jetë pas një sëmundje të gjatë, në gusht 2001.

Gjatë mandatit sa ishte në Kuvend Komunal, ai u angazhua për integrimin e komunitetit rom në shoqërinë kosovare si dhe e shtroi disa herë problemin e kthimit të të shpërngulurve, duke insistuar në krijimin paraprakisht të një infrastrukture të banimit për ta.

Në zgjedhjet e mëvonshme të drejtpërdrejta, komuniteti rom nuk ka arritur të sigurojë vend në vendimmarrjen komunale, por ata janë të përfaqësuar në Komitetin për komunitete si dhe në Zyrën për komunitete dhe kthim. /Mediafokus