Kush ishte shqiptarja që lëshoi bomba nga qielli mbi Serbinë?

Një vit e disa muaj pasi Kosova e kishte fituar lirinë e saj, këtu erdhi për vizitë Faruza Kallaba, pilotja amerikane me origjinë shqiptare, e cila gjatë luftës kishte fluturuar shumë herë në këtë qiell, për të lëshuar bomba mbi Serbinë, shkruan gazeta online Mediafokus.info

Pilotja që davariti errësirën gjysmëshekullore mbin qiellin e Kosovës, duke dhënë kontributin e saj në bombardimin e caqeve serbe, vizitoi Gjilanin, ku u falënderua për gjithë atë që ka bërë për popullin e Kosovës dhe lirinë e saj

Zonja Kallaba u cilësua një grua e madhe, e cila me pilotimin e aeroplanëve mbi qiellin e Kosovës, i ktheu në lot gëzimi vajet e nënave dhe fëmijëve të saj.

Kallaba u shpreh e kënaqur që këtu kanë ndodhur gjera të mëdha.

“Do të jemi të gjithë së bashku për gjera të mëdha siç është pavarësia”, tha ajo.

Kallaba vizitoi edhe familjen e dëshmorit Agim Ramadani në Zhegër, varrezat e dëshmorëve në Gjilan si dhe familjen e saj në Roganë.

Faruza Kallaba u lind në Damask të Sirisë, nga babai shqiptar, Haki Kallaba me prejardhje nga Kamenica dhe nëna ukrainase, Ana Senkiewicz.

Ajo dhe familja e saj ishin shpërngulur nga Arabia në Chicago të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku edhe jetojnë sot.

Ajo është e diplomuar me Akademinë Ushtarake në Universitetin e Ilinoisit me 1989 dhe ishte femra e parë e ekuipazhit të Gardës Nacionale të Forcave Ajrore të Ilinoisit, që nga viti 1984. /Mediafokus/