Kushtetuta ka mangësi, duhet të ndryshohet
Nijazi Idrizi
Kushtetuta e Republikës së Kosovës është e organizuar në 14 kapituj të cilët shtjerrojnë përmbajtjen e saj në 162 nene. Në të gjitha kapitujt segmentohet fusha e caktuar me qëllim të qartësimit të përmbajtjes së saj, për ta bërë atë të përdorshme.
KAPITULLI IV: Kuvendi i Republikës së Kosovës, e shtjerron përmbajtjen për këtë institucion.
Ketu gjendet edhe përmbajtja e shumëpërfolur e nenit 82 i cili flet për rastet kur Kuvendi i Kosovës shpërndahet.
Përmbajtja e këtij neni, nuk le hapësirë për të dhënë komente kuturu për mundësi tjera që mund të nxirren për analizë, madje as nga Gjykata Kushtetuese, sepse neni 82 merret me çështjen e shpërndarjes së Kuvendit në kondita të caktuara.
Ndersa pika 2 e specifikon momentin dhe nuk lë asnjë alternativë tjetër.
“Kuvendi mund të shpërndahet nga Presidenti i Republikës së Kosovës, pas votimit të suksesshëm të mosbesimit të Qeverisë”.
Votimi i suksesshëm i mosbesimit, përmendet vetëm këtu dhe askund tjetër. Kjo dmth se hartuesit e kanë specifikuar enkas për këtë situatë, e cila është e jashtëzakonshme.
Prezenca e kësaj situate te kapitulli i Kuvendit të Kosovës do të thotë se pasojat e votimit të mosbesimit të Qeverisë i bart edhe Kuvendi i cili shperndahet.
Në anen tjetër, KAPITULLIT VI, Zgjedhja e Qeverisë, ka të bëjë vetëm me zgjedhjen e qeverisë në kondita të specifikuara e që janë procedurale.
Neni 95 pika 5 e thotë decidivisht:
“Nëse Kryeministri jep dorëheqjen ose për arsye të tjera, posti i tij/saj mbetet i lirë, Qeveria bie, dhe Presidenti i Republikës së Kosovës, në konsultim me partitë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën në Kuvend, mandaton kandidatin e ri, për të formuar Qeverinë”.
E ndjej të nevojshme ta theksoj një fakt të njohur! Çdo dokument serioz, (e madje edhe një temë diplome shkollore), kërkon nga hartuesi që lëndën ta organizojë nëpër kapituj, ndersa permbajtjet ti shtjerroj nëpër tituj e nëntituj (në këtë rast në nene dhe aline), aq gjat sa të ketë nevojë.
Kjo bëhet me qëllim që interpretimi i saj të jetë i lehtë, madje edhe nga një zyrë ligjore e lere më nga Gjykata Kushtetuese.
Interpretimi i Kushtetutës nga disa analistë dhe politologë, se ajo çka nuk është e shkruar aty, mund të nënkuptohet, duke u bazuar në modelet e kushtetutave të huaja, nuk është vetëm joprofesional, por thirrje për kaos.
Për ta evituar “paarsyeshmerinë” e shkuarjes në zgjedhje për këto situata, Kushtetuta e Kosovës duhet të plotësohet dhe ndryshohet, përfshirë edhe nenin 82.2.
Aty duhet të theksohet se pas votimit të mosbesimit të qeverisë, edhe partia e dytë mund ta bashkoj shumicën e mandateve dhe ta propozoj formimin e qeverise së re, por që fjalët “fituesi i zgjedhjeve” duhet të zëvendësohen me fjalët “shumica e bashkuar”.
Opinionet e shprehura për këtë çështje, nuk duhet të peshohen në vagën e animit politik, por si shqetësim për kërcënimin e hapur që po i bëhet rendit, madje herë herë me nxitjen e palëve të pakënaqura.