Lutfi Haziri paralajmëron riformatim të qeverisë komunale

Vit të punëve të hajrit, e pati quajtur kryetari i Gjilanit Lutfi Haziri, vitin 2019, sa i përket realizimit të projekteve kapitale.

Por, viti 2020 mund të mos jetë edhe aq ‘i hajrit’ për partitë që janë në koalicion me LDK’në.

Kryetari i kësaj Komune, Lutfi Haziri, njëherësh nënkryetar i LDK’së në nivel qendror, ka paralajmëruar riformatimin e qeverisë komunale, që nënkupton se mund të shkojnë partnerë dhe të vijnë të tjerë për të bashkëqeverisur.

“Pas formimit të qeverisë qendrore, do të ketë riformatim të qeverisë komunale në bazë qytetare. E kam bërë vlerësimin e punës së partneritetit dhe riformatimi do të bëhet në bazë të performancës dhe vullnetit politik”, ka deklaruar Haziri për Mediafokus.info, por që nuk ka përmendur konkretisht se kush do të dalë e kush do të hyjë brenda.

LDK e Gjilanit, të cilës i prin Lutfi Haziri, është në koalicion me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, Aleancën Kosova e Re dhe partinë turke, KDTP.

Mbetet të shihet nëse Haziri do t’i ndajë rrugët me AAK’në dhe kush do të jetë partneri i ardhshëm.

Koluareve është përmendur një mundësi që LDK të bëjë marrëveshje me grupin e pakënaqur të PDK’së, që nënkupton katërshen e këshilltarëve të Kuvendit Komunal, të cilët, kohëve të fundit, kanë pasur përplasje të mëdha me partinë. /MediaFokus/