Minatorët që sfiduan pushtuesin përmes grevës

Sabedin Sherifi

Në fillim të vitit 1989, në muajin shkurt të datës 20, në Kosovë, në një ndërmarrje shumë të fuqishme ekonomikisht filloi një grevë e minatorëve të Trepçës e cila në historinë saj njihet si Greva e minatorëve ’89.

Greva ishte aq e fuqishme sa që u bë kryelajm në mediat më të fuqishme botërore.

1989-ta ishte viti kur Serbia kishte filluar rrënimin e asaj pak autonomie të Kosovës e cila edhe pse ishte e mangët i pengonte asaj për të shtrirë pushtimin e saj edhe në territorin e Kosovës.

Millosheviq dhe pushteti i tij në ato kohë të vështira për Kosovën arritën të gjejnë kuislingë të cilët i shërbenin me devotshmëri atij.

Minatorët hynë në grevë me qëllim të demaskonin politikën hegjemoniste serbe e cila kishte aspirata të pushtonte jo vetëm Kosovën.

Kërkesat e minatorëve për dorëheqjen e kuislingëve nga postet vendimmarrëse në dëm të Kosovës ishin të fuqishme por mbështetja e kuislingëve nga Millosheviqi i bëri ata të pa prekshëm.

Në mbështetje të minatorëve ishte gjithë Kosova dhe ndër më të zëshmit ishin studentet dhe shtresat e ndryshme popullore.

Si një fëmijë minatori, lajmin për futjen e minatorëve në grevë e mora nga lajmet  ditore, në shkollë ku isha mbretëronte një situatë e tensionuar.

Kthehem në familje dhe gjej nënën duke më pritur me shumë ankth. Ajo tregon se qe pesë ditë babai me shokë është në grevë.

Ajo më shumë brengosej për ushqimin dhe veshmbathje sepse në horizonte nëntokës kishte vende ku ishte shumë ftohtë.

Nëna më tregoi se gjatë këtyre ditëve pos xhaxhait Smajl me familje, i cili vazhdimisht qëndronte pranë, edhe dy gra të moshuara kishin vizituar e mbështetur familjen në ato ditë plot ankth, Halla Selë (Selime) dhe Halla Hysë e cila po ashtu e kishte djalin minator në Kishnicë. Të tjerët ndoshta nuk kishin guxim për të mbështetur familjen tonë.

Një ditë më vonë mora rrugën për Artanë (ish Novobërdë), me vete mora pak ushqim aq sa kisha mundësi të bartja në supe.

Në hapësirat e hyrjes në minierë mbretronte një situatë e tensionuar. E dija që s’mund të hyja, por pyeta se a ka mundësi për ta dërguar ushqimin.

Më në fund një telefonist më mundësoi kontaktin me babain dhe pos tri fjalë ndërruam duke më këshilluar të  kthehem në shkollë.

Aty prisnin edhe shumë të tjerë sikur unë që kishin ardhur për të parë të afërmit e tyre.

Minatorët pas disa ditë qëndrimi në grevë, u tradhtuan nga kuislingët dhe pas gjithë asaj sakrifice, Serbia filloi ofenzivën e saj.

Nga puna dëboi mijëra punëtorë shqiptarë në fusha të ndryshme. Ata u përndoqën dhe mijëraa u detyruan të marrin rrugën e migrimit nëpër botë⁷.

Enver Hasani një bashkëvendas i babait i cili ishte punëtor në Artanë, tregon pas 35 vitesh për vështirësitë që kishte hasur për të siguruar ngrohje me rrymë elektrike minatorëve në zgafellat e nëntokës.

Kjo atij i kishte kushtuar rëndë në zyrat e UDB-së. Fatkeqësisht ata që e kishin marrë në pyetje flisnin shqip.

Minatorët edhe pas grevës së 89-tës vazhduan rezistencën në forma të  ndryshme e shumë zgjodhën rrugën e rezistencës, si babai im, deri në sakrificë më 1999.