Mrizi, një ndër vendet më të bukura të fshatit Pogragjë

Izeir Hyda

Më 1913 u botua për herë të parë në Shkodër ‘Mrizi i Zanave’ njëra nga veprat më të njohura të Gjergj Fishtës.

Me këtë vepër, Fishta, përmes përshkrimit të bukurive të natyrës shqiptare e sforcon ndjenjën e atdhedashurisë duke frymëzuar popullin në luftë për liri:

‘Edhe hana le ta dije
Edhe dielli do t’ketë pa.
Se përqark kësaj rrokullie
Si Shqypnia i vend nuk ka’

Në mbamendjen e bukurive të atdheut Fishta vendos dy dëshmitarë të përherëshëm Diellin dhe Hanën.

Po këta dëshmitarë, i kanë parë edhe të gjitha bukuritë e trevave shqiptare…e natyrisht edhe bukuritë e ‘Mrizit’ të vendlindjes sime.

Në fshatin Pogragjë ka shumë vende të bukura. Një ndër vendet më të bukura është Mrizi.

Mriz-i, emër i gjinisë mashkullore, numri shumës mrize-t. Vend i freskët me hije ku bëjnë pushimin (mrizojnë) bagëtia në kohën më të madhe të vapës në mesditë (që tani këto vende po shfrytëzohen kryesisht për t’i kaluar pushimet gjatë vikendeve).

Mrizi yn është një vend shumë i bukur me ujë të bollshëm, me lisa të mëdhenj që krijojnë një freski të jashtëzakonshme edhe në vapën më të madhe të ditës.

Ky vend i bukur ndodhet ndërmjet tri fshatrave: Pogragjës, Bukovikut dhe Caparit dhe shfrytëzohej bashkërisht nga banorët e tyre për kullosë dhe për t’i mrizuar bagëtinë.

Emërtohej herë me emrin e njërit, herë me emrin e fshatit tjetër edhe pse ndodhej në mes të shtëpive pogragjase që ishin vendosur aty. Shpesh e kemi quajtur Mrizi i Pogragjës, Mrizi i Caparit apo Mrizi i Bukovikut.

Në realitet ky vend ishte ‘Mera’ që e shfrytëzojnë të gjithë. Kështu Mrizi krijonte një lidhje natyrore e një harmoni ndërmjet barinjëve dhe banorëve të këtyre fshatrave.

Mirëpo, në një periudhë kohore, këtu erdhën disa banorë të huaj që flisnin gjuhë tjetër e kishin zakone të tjera.

Në realitet, sikundër edhe në shumë vende të Kosovës, këtu erdhën kolonë që i solli Mbretëria Sërbo-Kroato-Sllovene (SKS).

Kjo Mbretëri (1918-1929) dhe vazhdimi i saj Mbretëria Serbe -Jugosllavia e vjetër (1929-1943) ishte pushtuese për popujt e Ballkanit dhe gjatë tërë sundimit të saj kishte për qëllim ndërrimin e strukturës etnike në të gjitha trojet shqiptare.

Përmes të ashtuquajturës Reforma agrare, pushtuesit në trojet shqiptare sollën kolonizues.

Në dekadën e dytë të sundimit të saj, këta pushtues, te Mrizi, sollën disa familje serbe nga Jugu i Serbisë – nga Pçinja, si familjen e Spases, Mikailit… ua falën tokat rreth Mrizit, të cilat ata më vonë kur u larguan rreth viteve gjashtëdhjetë të shekullit t’kaluar ua shitën shqiptarëve.

I morën pa pare e i shitën me pare?!

Për shkakun se tokat ishin shumë të plleshme dhe kishin kushte shumë të mira për zhvillimin e blegëtorisë këto i blejtën pogragjasit.

Familja e parë që u vendos aty ishte familja e Shabanit t’Begit (Esatit), bleu tokën e Llazës. Pastaj u vendosën familjet e Muharrem e Qazim Shabanit e Rexhep Rexhepit (Durmishit), Ismail Salihut, vllëzërve Azem e Muharrem Rexhepit…dhe familja Hajdari nga Burinca.

Këto familje qëndruan aty për disa vite dhe pastaj disa prej tyre u kthyen në Pogragjë dhe disa shkuan në Gjilan, por pasuria mbeti e tyre.

Mrizi (ky toponim i vjetër shqip), ruhet edhe sot. Ai priti e përcolli edhe kolonë serbë, por gjithmonë foli shqip me gjuhën e tokës. Shqip flet edhe sot!