Murati (LVV): Ja sa para ndau Kosova për shpenzimet në Gjykatën Speciale

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati, ka thënë se nga buxheti i Kosovës, 16.5 milionë euro janë ndarë për shpenzimet në Gjykatën Speciale.

Ai ka thënë se për muajt e mbetur të vitit janë ndarë nga katër milionë euro për mbulimin e këtyre shpenzimeve, pavarësisht se ende nuk ka ndonjë aktakuzë të konfirmuar.

Murati në Interaktiv të KTV-së ka thënë se kanë mbetur 8 milionë e gjysmë në buxhet, por sipas tij edhe ato janë shpërndarë në projekte tjera, për çka thotë se Pako të Rimëkëmbjes nuk do të ketë.

“Po flasim për pesë muajt e mbetur të vitit. Deri tash nuk kemi asnjë aktakuzë të konfirmuar, 20 milionë për muajt e mbetur të vitit, që përkthehet në 4 milionë në një muaj. Pra, amendament kanë bërë për mbrojtën në Gjykatën Speciale. Hiqi 16.5, neve po na mbesin 8 milionë e gjysmë për Pakon e Rimëkëmbjes. Edhe kjo shifër ka shkuar në projekte tjera. Pako të Rimëkëmbjes nuk ka në këtë buxhet”, ka thënë ai.

Sipas tij, meqenëse nuk po munden t’i ndihmojnë qytetarët me Pakon e Rimëkëmbjes, e kanë shpikur idenë e trustit, “po iu thonë qytetarëve që po iu ndihmojmë, tërhiqni paratë e juaja”.

Murati ka thënë se në buxhet nuk janë futur as shtesat prej 170 euro.

“Edhe shtesat prej 170 euro që vazhdimisht kanë bërë zhurmë, kanë mund me u bërë nga fillimi, por as tash nuk i kanë futur në buxhet. Unë do të kërkoj në seancë që me i buxhetuar 80 milionë euro për masën numër 3 të Qeverisë Kurti, sepse këta nuk e kanë buxhetuar, edhe pse janë thirrur”, ka thënë ai.