Muslimanët i ftonin në iftar shokët e tyre të krishterë

Ditët e Ramazanit në Elbasan kaloheshin si ditë feste. Besimtarët myslimanë agjëronin 30 ditë, duke përjashtuar nga agjërimi fëmijët nën moshën 14 vjeçare. Iftari dhe syfyri paralajmëroheshin me një të shtënë topi.

Për iftar, topi zbrazej në aksham, ndërsa për syfyr në mesin e natës. Personi që zbrazte topin rrinte tek dera e xhamisë me një dru të gjatë në dorë, me të cilin mbushte topin. Ky person ishte i pajtuar nga zyra e Kadiut.

Për iftar, çdo mysliman thërriste edhe shokët e vet kristianë. Një gjë e tillë bëhej edhe për syfyr.

Gjatë iftarit muslimanët vizitonin dyqanet e njëri – tjetrit. Vizita bënin edhe gratë tek njëra-tjetra.

Gjatë Ramazanit, për iqini binte daullja në mes të qytetit, mbi Portën e Kalasë, për të “lajmëruar” gratë që të bënin gati iftarin.

Për Ramazan kishte shumë lëvizje nëpër qytet. Pazari rrinte hapur deri në mesnatë, kurse kafenetë deri në mëngjes.

Kur vinte vakti i faljes së Teravive, atëherë kur gratë e burrat faleshin në xhami nuk kishte lëvizje, pas saj fillonte sërish gjallëria.

Daullexhiu dilte 30 net rresht nëpër lagje dhe mbidhte para nga ata që kishin dëshirë t’i jepnin.

Pas 24 ditëve të Ramazanit është “Nata e Kadrit”, një natë e mirë, me rastin e së cilës këndohen Hatme në varreza. “Hatmja” që bëhet në varreza ditën e Natës së Kadrit vlen për një vit. Pas Natës së Kadrit festohet Bajrami i Madh. /Aleks Josifi, i njohur si Leksi i Vinit/