Kështu e kujton valltarin lirik, Xhemajl Rrahimi vëllai i tij

Njëri ndër valltarët më të mirë të Grykës së Karadakut, Xhemajl Rahimi, nga fshati Stançiq, me vendbanim në Zhegër, prej një viti i takon amshimit.

Kështu e ka kujtuar atë sot vëllai i tij, Musah Rahimi.

‘Një vit pa prezencën tënde fizike më i dashuri dhe më i shtrenjti i familjes dhe shoqërisë, por i përjetshem në mendjet e zemrat tona, vëlla Xhemajl.

Jetojmë krenarë në çdo ditë të jetës me kujtimin e mallin për ty. Prehu në paqe vëlla i dashur!’, ka shkruar ai.

Shokju i tij i ansamblit “Bajram Curri”, Shaqir Rrustemi kishte bërë një dedikim të veçantë për Xhemajlin, pas lajmit për vdekjen e tij.

‘Vdekja na e mori pa e parë, madje edhe pa ia bërë nderimet sipas traditës sonë me shekuj e shekuj.

Vdekja u tregue e pamëshirshme ndaj tij, anise ishte një familjar shembull për të tjerët, një shok e mik i rrallë, një punëtor i palodhur i këtij vendi dhe mbi të gjitha, një Njeri që do të kujtohet gjatë.

Ansambli i Muzikës Autoktone “Bajram Curri” nga Shurdhani ka mbetur pa valltarin thuaja më të mirin, i cili la nam nëpër skenat kulturore brenda e jashtë Kosovës, për një periudhë mëse 40 vjeçare.

Do të mbahet mend dhe do të cilësohet ndër valltarët më lirik të valles burimore shqiptare, paraqitja e të cilit u duartrokit gjatë nëpër skenat kulturore.

Emri i tij do të jetë emër mburrje e krenarie për Ansamblin e Muzikës Autoktone “Bajram Curri” nga Shurdhani, si dhe vlerë e shquar dhe e paharruar e folklorit burimor shqiptar’, ka thënë Rrustemi.

Ky ansambël, sivjet ka humbur edhe valltarin tjetër të spikatur, Hamit Aliun. /Mediafokus.info