‘Në kohët e përparshme, dasmat kanë pasë ma shumë shyhret’

Në kohët e kaluara dasmat bëheshin më ndryshe dhe zgjasnin një javë. Moshat e treta kanë shumë nostalgji për atë kohë e për ato dasma, ku gjithçka bëhej në shtëpinë e dhëndrit dhe të nuses.

Daullet, zurlat e tupanet nuk pushonin tri-katër ditë, shkruan gazeta online Mediafokus.info

Hysen Sherifi i rikujton ato kohëra përmes fotove dhe rrëfimeve të babait, Ismajlit, që ishte një valltar e hokatar i shkëlqyeshëm.

Ai tregon se këto foto janë nga dasma e Hamzë Pacollit prej Marecit, të ramë në Sllovi. Këtu shihen duke marrë nuse në Akllap të Lipjanit, para 64-65 vitesh.

‘Në kohët e përparshme, dasmat kanë qenë më me vlerë se dasmat e sotit. Dasmat me qerre të kuqe kanë pasë shyhret’, thotë Hysen Sherifi.

Përndryshe, asokohe dasmat fillonin diku nga dita e enjte dhe përfundonin tek të martën apo mërkurën e javës tjetër.

Ata që gëzoheshin më së shumti ishin fëmijët dhe dhëndri. Edhe nusja, po. Edhe familjet dhe farefisi, natyrisht.

Në atë kohë ushqimi përgatitej në shtëpi. Kazanët mbusheshin me çorbë e mish, që bëheshin nga burrat, ndërsa bukët i bënin gratë.

Dasmë pa mish e pa daulle nuk bëhej, sado hollë nga idarja të ishte familja e dhëndrit./Mediafokus.info