Në shtëpinë e dervishëve flitej edhe për çështjen kombëtare

Anamorava i ka dy teqe. Njëra gjendet në qytetin e Gjilanit, e njohur si teqeja e Sheh Tefikut dhe tjetra në fshatin Topanicë, e njohur si teqeja e Sheh Zenelit.

Teqeja e Gjilanit ishte një vend ku dikur diskutohej edhe për fatin e kombit dhe çështjet tjera madhore të kohës, shkruan portali mediafokus.info

Jo rastësisht, forcat serbe e dogjën këtë monument gjatë tërheqjes nga Kosova.

Teqeja në Gjilan i përket tarikatit Sadi dhe gjendet në pjesën veri-perëndimore të qytetit.

Sipas burimeve të sheh Tefikut, Teqeja është ndërtuar në fillim të shekullit XVIII.

Themelues është sheh Islami i Leskocit, që nga andej është shpërngulur në Shkup dhe më pas ka ardhur në Gjilan, për të këtë qëllim.

Varri i tij nuk gjendet në Teqenë e Gjilanit, sepse fill pas themelimit të këtij tempulli, ai kthehet sërish në qytetin e Shkupit, për të vepruar atje.

Në afërsi të Teqesë gjendet edhe Tyrbja me tri kobure (varre). Aty është varri i sheh Tefikut, sheh Rrahimit, sheh Eminit dhe dervish Mustafasë.

Ndërkaq, jashtë gjenden varret e dervish Ismajlit, dervish Hajdarit, sheh Alihajdarit dhe varri i bashkëshortes së sheh Tefikut, Akilës.

Sheh i parë i kësaj Teqeje njihet sheh Rrahimi nga fshati Gmicë, më pastaj sheh Emini nga Poliçka e Kamenicës dhe sheh Tefik Mustafa nga Gjilani, i pasuar nga i biri Alihajdari, mësimdhënës shumëvjeçar i artit figurativ në Gjilan.

Sipas të dhënave, themelues i tarikatit Sadi në Kosovë, është Axhiza Baba, ndërsa teqeja bazë është në Gjakovë, e njohur me emrin Teqeja e Madhe.

Në bazë të hierarkisë, fillimisht ka qenë sheh Shefketi i Teqesë së Madhe e, më vonë vazhdon sheh Hasani në Leskoc, sheh Sylejmani në Vrajë, sheh Xhaferi në Shkup, sheh Hyseni në Nasalcë dhe sheh Tefiku në Gjilan.

Teqeja e Gjilanit ka qenë vatër e atdhedashurisë, ku flitej dhe diskutohej për çështjet madhore të kombit.

Për këtë arsye, sheh Tefiku dënohet dy herë nga pushtuesit sllav. Në vitin 1945 dënohet me pushkatim, por falë Brigadës së Shaban Haxhisë, i cili ishte në ballë të saj si dhe Hysen Dolit nga Gjakova, lirohet nga burgu i OZN-së dhe, për të humbur gjurmët, gjen strehim në Gjakovë.

Në vitin 1960 me Grupin e Kadri Halimit e të Ali Aliut, që vepronte në gjithë Kosovën, dënohet me 4 vjet burgim të rëndë, të cilat, pa u përkulur asnjë çast, si shumë shokë të tij, i mbanë ditë më ditë në qelitë famëkeqe të Nishit.

Duke e ditur këtë rol të teqesë, forcat serbe, gjatë tërheqjes nga Kosova, në qershor 1999, e dogjën atë deri në themel, me një bibliotekë të tërë librash të vjetra, me dhjetëra shandanë e mjete të shumta, nga më të ndryshmet, që shërbenin gjatë ceremonive fetare.

Ministria e Kulturës bëri rinovimin e këtij monumenti kulturor-fetar, pas luftës. /Mediafokus/