Ngjarje tragjike, familja nga Kosova ishin nisur për në Zvicër, nga aksidenti shpëtoi vetëm vajza 3 vjeçe

Një ngjarje tragjike ishte ajo çfarë ndodhi për familjen Avdiaj nga Kosova.

Blerim Avdiaj, 49-vjeç, së bashku me bashkëshorten Anjezën dhe fëmijët po udhëtonin drejt Shqipërisë në momentin kur u përplasën me një mjet të tonazhit të rëndë, raporton top channel.

Nga familja Avdiaj ka mundur të shpëtojë më e vogla, Violeta, e cila është vetëm 3 vjeçe, por ndodhet në gjendje të rëndë në spitalin e Traumës në Tiranë.

Dyshimet e para janë se makina me të cilën udhëtonte familja nga Kosova ka tentuar të parakalojë automjetet para saj në një kthesë dhe nuk ka mundur ta shohë kamionin që vinte në drejtim të saj kur edhe ndodhi përplasja tragjike.

Mësohet se familja ishte nisur nga Kosova për në Rinas pasi do udhëtonin për në Zvicër.

Drejtuesi i kamionit po nga Kosova, është shoqëruar nga policia për t’u marrë në pyetje, ndërkohë policia vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij aksidenti mjaft të rëndë.