Një rikujtim për “rojën” e fundit të fshatit Sefer

Fshati Sefer ka një histori të dëgjuar në trojet shqiptare, që atij i vjen nga kryetrimi i Karadakut, Idriz Seferi, i cili luftoi dhe vdiq me mallin e Shqipërisë etnike.

Nexhip Seferi ishte njëri nga “rojat” më besnike të këtij fshati kufitar, derisa u nda nga jeta, para gjashtë vitesh (12.06.2010), shkruan mediafokus.info

Ai nuk u shkoq nga vatani pa e lëshuar këmbët. Jetoi edhe krejtësisht i vetëm në disa periudha, sall me lisat, krojet, arat, djerrinat, varret dhe me krenarinë e kryetrimit të Karadakut, Idriz Seferit, i cili po ashtu, këtu e kishte kaluar pjesën më të madhe të jetës së tij.

Nuk janë ndarë krejtësisht prej vendlindjes së tyre as banorët tjerë të Seferëve, që tashmë jetojnë gjithandej Kosovës, Luginës së Preshevës, Maqedonisë dhe vendeve të tjera, larg e më larg.

Verës kthehen atje jo vetëm ata që kanë lindur në këto toka, por edhe ata që kanë lindur gjithandej e që këtu i kanë rrënjët e të parëve.

Vijnë e rikthehen atje për t`u takuar me njëri-tjetrin, për t`u çmallur dhe për t`i rikujtuar rrëfimet për trimëritë e Idriz Seferit.

Kthehen për të pirë ujin e krojeve me të cilën u rritën.

Nexhip Seferi, plaku i fundit i këtij fshati krenar, tregonte sa ishte gjallë, se popullata e kësaj ane, ishte mashtruar nga regjimi serb, duke u thënë se më afër e kishin Preshevën se sa Gjilanin dhe i kishin marrë andej.

U kishin premtuar taksa më të vogla, nëse ktheheshin me Preshevë. Por, nuk u doli ashtu.

Banorët e kësaj zone përherë kanë pasur telashe me pushtetin serb dhe xhandarët e tij. Nga dhuna dhe presioni, lagje të tëra, Jasharajt, Seferajt, Hajdinajt dhe të tjera, kanë ngelur bosh.

Nexhipi i rrëfente me përkushtim të gjitha ngjarjet në këtë fshat, ku jetoi mbi 80 vjet.

Nuk ka mundur ta bind kush Nexhipin, për shumë vite, që të zbres në qytet.

“Kur njeriu lidhet fort për tokën dhe historinë e vendlindjes, është vështirë t`i ndahesh asaj”, thoshte Nexhipi, derisa ishte gjallë.

Ai mbante në oborrin e tij si rekuizita të një kohe të kaluar, plugun, zgjedhën, kularët, parmendën, koshin, vegshat e bulmetit, kasat e djathit, rrotat e kerrit, sfurqet, lopatat, kazmat, qyskitë, bludat, tepsitë, tinarët e djathit, hambarin, torishtat, ahurin.

Toka, uji dhe ajri i pastër dhe gjithë këto almise të shtëpisë e të punës, nuk e lenin Nexhipin të ndahet nga fshati.

Qëndroi edhe në kohën e luftës së fundit në Kosovë dhe Luginën e Preshevës. Atje takoi dhe ndihmoi me bukë, kripë, ujë e zemër edhe ushtarët e UÇPMB-së. I bënte konak dhe ua tregonte rrugët e shtigjet, që të mos binin në pritat e ushtrisë serbe.

Fshati Sefer është një vendbanim i Malësisë së Karadakut, mbi 25 kilometra larg Gjilanit dhe përgjysmë më pak, afër Preshevës.

Deri në vitin 1999, këtu ishin 15 shtëpi të banuara. Dikur kishte shumë më tepër.

Në vitet 1960, Seferi kishte 62 shtëpi me 400 banorë. Në ditët më të mira, fshati pati 108 nxënës.

Por, koha e bëri të veten. As Cani,“roja” e fundit, nuk jeton më./mediafokus.info