Një vit nga vdekja tragjike e Agon Musliut, familja mbetet e pushtuar nga dhimbja për të vetmin djalë

Më 3 maj 2020, mediat kosovare raportuan për një rast tragjik në Prishtinë, ku një person kishte kërcyer nga konvikti, që ishte shndërruar në karantinë për ata që ktheheshin nga jashtë.

Shpejt u kuptua se 26-vjeçari, i cili kishte kërcyer nga kati i pestë i njërit prej konvikteve në Prishtinë, ishte Agon Musliu nga Livoçi i Epërm i komunës së Gjilanit.

Vdekja e tij u konfirmua po atë ditë nga mjekët e Emergjencës së QKUK’së.

Lajmi ishte konfirmuar edhe nga zëdhënësi i Policisë, Daut Hoxha.

“Me datë 03.05.2020, rreth orës 17:20, ekipet e emergjencës dhe Policia kanë shkuar te Qendra e Studentëve dhe një person është përcjell me autoambulance në drejtim të Klinikes Emergjente. Njësitet e policisë dhe forenzika kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe pas procedurave hetimore, do të sqarohen rrethanat tjera”, ka thënë Hoxha.

Agon Musliu ishte student i masterit në Gjermani.

Lajmi e kishte tronditur edhe kryetarin e Gjilanit, Lutfi Haziri.

“U trondita me lajmin për ndarjen tragjike nga jeta të 26-vjeҫarit, Agon Musliu, i cili ishte student i shkëlqyer i masterit në Gjermani. Humbje e madhe për familjen e për Gjilanin. Komuna e Gjilanit do t’i qëndrojë afër familjes. Zoti ua lehtësoftë dhembjen!”, ka shkruar Haziri, në profilin e tij në Facebook.

Agon Musliu sapo kishte nisur studimet e masterit, në Gjermani.

Njëri nga të afërmit e tij ka treguar se si person, Agonit të gjithë ia kanë pasur lakmi.

“Ka qenë tepër i sjellshëm, i qetë, i urtë dhe nuk ka ditë një fjalë t’keqe me ia thanë kërkujt. Nuk ka ditë me e idhnu kërkend. Krejt i kanë marrë lakmi”, kishte thënë familjari i tij, për Mediafokus.info.

Në të gjitha nivelet e shkollimit, Agoni kishte impresionuar me sukses e me edukatë.

Përveç tjerash, Agoni ka qenë i pasionuar pas librit dhe disa herë është shpërblyer me çmimin  “Lexues i dalluar” i Bibliotekës Fan S. Noli, në Gjilan.

Në Gjermani kishte udhëtuar në fillim të muajit mars, pak para se të mbylleshin kufijtë, si pasojë e pandemisë, për t’i ndjekur studimet master në drejtimin e shkencave kompjuterike.

Agoni ka qenë i vetmi fëmijë i familjes.

Vdekja tragjike e Agon Musliu ka pikëlluar edhe stafin e Bibliotekës “Fan Noli” në Gjilan, ku ai ishte lexues i rregullt dhe ku ishte shpallur “lexues i dalluar” në vitin 2007.

Përndryshe, Agoni ka qenë i pasionuar pas librit.

Sot jemi një vit pas asaj ngjarje tragjike që kishte tronditur familjen dhe fshatin e tij, Gjilanin  dhe Kosovën.

Familja Musliu, e pushtuar nga dhimbja për të vetmin djalë, pret që drejtësia ta thotë fjalën e saj në rastin e djalit të saj. Ndriqim të plotë të rastit dhe rrethanave kishte kërkuar edhe KMDLNJ.