Nostalgji fëmijërore
Sabedin Sherifi
Para shumë e shumë viteve, kur ishim fëmijë, jetonim në kullën që kishte ndërtuar gjyshi Sefë, rreth vitit 1942/43.
Kulla kishte katër dhoma, dy koridore, shkallë druri me derë si dhe një banjo wc brenda në shtëpi.
Shtëpia kishte dy kate. Në katin e parë ishte kuzhina apo shpia e cila shfrytëzohej si dhomë dite si dhe një dhomë tjetër po aq e madhe që ishte si depo ushqimore.
Më herët kjo dhomë ishte shfrytëzuar për bagëtitë, por me ndërtimin e stallës për kafshët, kësaj iu ndërrua destinimi.
Në katin e dytë kishte dy dhoma gjumi të cilat ishin shumë të ndritshme dhe të ajrosura mirë sepse kishin dritare të mëdha dhe dyer me xhama.
Dhomat kishin edhe nga një oxhak për ngrohje.
Për kohën kjo ishte shtëpi shumë moderne.
Xhaxhai im Smajli tregonte se kullën e kishin ndërtuar mjeshtrit nga Dibra.
Kati i parë ishte me gurë dhe gjërsia e mureve ishte 80cm kurse kati i dytë ishte me tulla të papjekura dhe kishte gjerësi 60cm.
Kulla kishte dhe derën kryesore e cila ishte rreth 130cm e gjerë dhe mbyllej me shul.
Dritaret në katin e parë ishin të siguruara me hekura.
Thuhej se atë vit mjeshtrit dibranë kishin ndërtuar edhe dy shtëpi tjera, por me përmasa më të vogla.
Vlera e ndërtimit kur është filluar puna, kishte qenë shumë e lartë, por në fund, për shkak të devalvimit të Napolonit, gjyshit i kishte mjaftuar të shesë një mështjerrë dhe të paguajë mjeshtrit.
Kulla kishte një pus (bunar) për ujë të pishëm i cili ishte mbi 10m i thellë dhe kishte një mekanizm (çekërrk) për nxjerrjen e ujit me kovë.
Në dhomën e ditës apo shpia si quhej kishte një oxhak të madh në ballë. Në dy anë kishte shtrojë për t’u ulur fëmijët dhe në anën tjetër të rriturit.
Ishte kohë kur burim drite gjatë natës përdorej llampa me gaz e cila qëndronte e varur në mur.
Nëna shpesh e pastronte llampën, sepse nga gazi që digjej ajo nxihej dhe ndriçimi i saj zbehej shumë.
Për ndriçim kishte edhe fener i cili ishte shumë praktik pasi që kishte një vegë dhe mund të bartej edhe jashtë shtëpisë për ndriçim.
Në dhomën e bukës kishim një shporet të zi, ku zihej e gatuhej. Bënte shumë shumë tym.
Nëna më tregonte se më herët bukën e kanë pjekur me çerep në prush, por shumë më herët se të lind unë.
Nana kur pjekte bukën në shporetin e zi shtëpia mbushej plot erë. Ah sa shije të mirë që kishte.
Aty në mes shtëpisë kishim një sofër (tryezë) të madhe dhe uleshim nëpër shkama rreth saj.
Zakonisht në darkë ishim pothuajse të gjithë pranë saj, pos babait që punonte në minierën e Artanës. Ai vinte më rrallë në shtëpi.
Jeta në fshat ishte shumë e lodhshme sidomos gjatë verës dhe neve fëmijëve na zinte gjumi shpesh pranë sofrës.
Në dhomën e ushqimit apo fllanik si quhej, kishte disa gjëra si: miell, pemë, perime të konzervuara për dimër, mermeladë (pekmez), djath, speca dhe domate turshi.
Aty kishim disa kaca nga druri të cilat përdoreshin për djath, lakra dhe pemë turshi.
Po në këtë dhomë terej dhe mishi i pastermave që prenim për dimër.
Dhoma e ditës ishte gjithçka për ne sidomos në kohëra dimri pasi që kur bënte shumë ftohtë, ne mblidheshim rreth shporetit.
Argëtim në atë kohë kishim lojra të ndërtuara nga prindërit tanë. Nuk kishte pajisje të mençura dhe gjithçka ishte në imagjinatën tonë.
Ishte kohë pa rrymë elektrike dhe herët binim në gjumë dhe herët zgjoheshim.
Ne kishim një radiomagnetofon me bateri, ku xhaxhai im dëgjonte lajmet se çfarë po ndodhte në botë.
Gratë zakonisht pyesnin për motin në ditët në vazhdim pasi që shumë punë vareshin nga moti që shpesh dinte të acarohej.
Eh kur vinte babai gjithmonë e prisnim te dera. Ai kishte një çantë dhe unë rregullisht e hulumtoja në detaje. Aty gjeja shpesh ëmbëlsira të cilat i kishte ruajtur për ne.
Mbrëmja me babain ishte festë për ne. Ai na bënte muzikë me çifteli dhe këndonte disa këng të vjetra. Babai lojën me çifteli kishte mësuar nga gjyshja.
Sot në botën e zhvilluar pothuajse çdo gjë ka ndryshuar. Sigurisht fëmijët janë më të zhvilluar në horizontin e dijes. Ata flasin jo vetëm gjuhën e nënës po edhe disa gjuhë tjera.
Sot nuk ka fëmijë që nuk di të punojë me paisje të mençura.
Gjithë ky zhvillim sigurisht ka përparësitë e veta, por dhe mangësitë e veta.
Dikur rrugët e lagjes gumëzhinin nga fëmijët e sot ato janë boshe. Fëmijët janë mbyllur në dhoma gjumi me pajisje të mençura duke jetuar në botë joreale.