Nuk duhet të sillemi në mënyrë kompliante!

Ismajl Sherifi

24 marsin e vitit 1999 e kujtoj si një 6-vjeçar. Ora 20:00, për herë të parë me babanë Mustafën, dhe djalin e axhës, Sabedin Sherifi dolëm në oborr për t`i përcjellë bombardimet e NATO-s, që edhe qiellin e ndriçonin.

Ndonëse i ri në moshë, vetëm 6-vjeç, e mbaj mend shumë mirë xhaxhanë Sherif Sherifi, tani dëshmor. Axha ishte personazh i veçantë, që fliste shumë me pamjen dhe karakterin e tij prej një aristokrati.

Te axha Sherif spikaste heroizmi e humanizmi, ndershmëria, besnikëria, fisnikëria. Këto tipare e kanë shoqëruar tërë jetën e tij, që nga ditët kur filloi punë në minierën e Artanës, në vitet 1974-1989 e deri në  flijimin e tij për lirinë e atdheut.

Gjatë kohës sa punoi në minierën e Artanës, si mihës i zellshëm, kolektivi e ngrit në detyrë si përfaqësues i minatorëve (koordinator) gjë që nuk mund t`i përkushtohej shumë familjes.

Gjithsesi se bashkëshortja Fikrija dhe djemtë Sabedini, Sefedini e Nexhmedini e ndjenin mungesën e kryefamiljarit. Fëmijëve sidomos u mungonte shumë prehri dhe ngrohtësia e prindit.

Edhe kur e vizitonte familjen në fundjavë, vinte aq i lodhur dhe i rraskapitur nga puna, nga etja dhe uria, nga pluhuri dhe mëria, saqë ndodhte saqë ndodhte të mos e njihnin.

Veç kësaj, puna në minierë e rrezikonte shëndetin, jetën dhe të ardhmen e familjes, sidomos nga ngujimi në zgafelle plot 8 ditë, si reagim ndaj padrejtëve që pushteti i kohës ushtronte mbi shqiptarët.

Në kohën e ish-Jugosllavisë dhe Serbisë, shqiptarët e Kosovës shfrytëzoheshin, shtypeshin e sundoheshin pa mëshirshëm. Tensionet ndërmjet shqiptarëve autoktonë dhe serbëve kolonialistë përshkallëzohen tepër.

Serbia i kishte zhveshur shqiptarët nga çdo e drejtë e tyre themelore, duke ushtruar dhunë sistematike mbi ta, që nga përndjekjet, mënjanimet e intelektualëve dhe punëtorëve të mirëfilltë shqiptarë nga institucionet e Kosovës.

Këto masa skllavëruese e dëshpëruan tërë popullin e Kosovës e në veçanti minatorët e Artanës, përfshirë edhe Sherif Sherifin.

Të gjitha këto padrejtësi quan deri te 20 shkurti 1989, kur nisi greva e minatorëve në galeritë e nëndheshme e të errëta, e cila do të shndërrohet në një epiqendër të lëkundjes dhe shembjes së komunizmit.

Sherif Sherifi nuk u mjaftua me kaq. Etja për lirinë e atdheut sa vjen e rritet në shpirtin tij luftarak. Në pjesën e Malësisë së Zhegocit angazhohet në kujdestarinë e natës në fshatin Vërbicë, plot 5 muaj para fillimit të përballjes frontale me forcat serbe, më 15 prill 1999.

Madje edhe të birin Sabedinin e angazhon në strukturat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përkatësisht në shtabin e UÇK-së në Zhegoc, ku do ta kryej edhe detyrën e mjekut të luftës së UÇK-së.

Xhaxhai Sherifi thoshte: djalin e madh po ia fali Kosovës, të dytin – mërgimit, të tretin – mallit, familjes e pasurisë, ndërsa veten po i falem lirisë. Ai nuk mund ta ndante atdheun nga zemra, ashtu sikurse gjethin nga ngjyra e gjelbër.

Atdhetarizmin e tij, e përkufizon më së miri maksima latine: Non sibi, Sed patriev. (Jo për veten, por për Atdheun).

Ai kishte aftësi të rralla. Shumë ngjarje i parandiente, kishte përsiatje (meditime) të thella, që pak kush i besonte, por zaten ashtu edhe ndodhte. Për koincidencë mund të sjell në pah një moment kur një pasdarke po shfaqej filmi “Njeriu prej Dheu”, që për temë ka eksodin e shqiptarëve në Turqi dhe Sherifit ia mori vëmendjen një kafshë shtëpiake (qen), i cili e ndiqte pas karrocën me familjarë.

Në atë çast, ai emocionohet thellë dhe po i dridhej buza, teksa të pranishmëve u thotë se kështu siç po i përndjekin shqiptarët për Turqi, e ky qen po u shkon mbas, një ditë kështu kanë për ta përndjekur edh neve.

Ashtu edhe ndodhi

Më 15 prill 1999, ora 5:30, në Malësinë e Zhegocit, në vendin e quajtur Drumi, ishin pozicionuar afërsisht 6000 trupa të njësiteve ushtarake serbe, nga ku filluan sulmet e para në drejtim të shtëpive, i cili u bë edhe si shkas që gjyshi Smajl Sherifi, me të vëllanë Sherifin dhe familjarët tjerë t’i braktisnin shtëpitë dhe të largohen drejt vendit të quajtur Lugu i Mrizit.

Atë natë qëndruam nën qiellin e hapur, por me të hetuar vendndodhjen tonë, paramilitarët serbë as këtu nuk na lanë të qetë, për çka ia mësymë fshatrave Zhegoc e Plitkoviq, ku edhe aty do kalojmë një natë në shtëpinë e Perëndisë, xhaminë e fshatit deri në mëngjes.

As ky vendstrehim nuk ishte i sigurt pasi që po bëhej cak i përndjekjes për të na kapur të gjallë, por fatmirësisht i rezistuam edhe një herë kapjes nga okupatori.

Të nesërmen herët në agim ia mësymë drejt fshatrave Gadime, Sllovi, pastaj Ferizaj e Maqedoni. Qeni na shoqëroi hap pas hapi, deri në Ferizaj, ku hipën në tren drejt Maqedonisë.

Trazimi i gjendjes shpirtërore apo emocionale sa vinte e shtohej. E ndjenin se jeta më nuk do të na takojë me xhaxhanë. Në vendin e quajtur Lugu i Mrizit, po atë ditë neve na jep lamtumirën e fundit dhe do t’i kthehet prapë shtabit të Ushtrisë Çlirimtare, e konkretisht të birit Sabedinit, që sado pak t’u ofrojë asistencë pjesëtarëve të UÇK-së.

Mirëpo, rrugës në drejtim të shtabit, ai bie dëshmorë me bashkëluftëtarë.

Për të na e shëruar plagët, eposi folklorik e rapsodët i thurën vargjet: “Në livadh afër një lisi, ra dëshmor Sherif Sherifi/ Verbicaliu doli t’luftoj, i tregoj shkaut që është vendi jonë”.

Sot nuk mund të qëndroj indiferent kur atakohen vlerat sublime të dëshmorëve e martirëve të vendit. Ata (dëshmorët) Kosovën na e lanë amanet neve, popullit dhe jo tapi të individëve.

Debati i cili u zhvillua ditë më parë në Kuvendin Komunal, lidhur me emërtimin e rrugëve, nuk ka se si të mos e vras inteligjencën, pasi që gjaku i dëshmorëve, edhe i xhaxhait tim, u bë uverturë e lirisë sonë. Sot, këto vlera po çthuren e degradohen.

Sherif Sherifi, së bashku me Pajazit Ahmetin, Alban Ajetin e shumë dëshmorë të tjerë, sit i bëjnë roje Gjilanit, tek kompleksi memorial Kodra e Dëshmorëve.

Në rastin konkret dhe vendimet çfarëdo qofshin ato, ne si shoqëri nuk duhet të sillemi në mënyrën kompliante, sepse propozimi si dëshmor është parësor nga ana e ligjdhënësit!

Komisioni dhe anëtarët e emërtimit kanë barrën e provës kur vendosin. Maksima latine thotë: “Veritas vos liberabit” (“Shpresojmë që më në fund e vërteta të na çlirojë”).

…………………….

(Autori është jurist i çështjeve penale)