‘Nuk kish gjë më të dhimbshme se me u nda për s’gjalli me një njeri tanin’
Ky burrë është Adem Jashar Muzli Matoshi (Gmicë, 1900-Mutivodë, 1974), nga Gmica e Kamenicës. Më 1951 ka dalë nga Gmica, në Dabishec, më 1961 ka dalë nga Dabisheci (ana e Gllogovicës) në Mutivodë ku edhe ka vdekur më 1974.
Shumë nga malësorët e Kamenicës kanë bartur këtë veshje tipike shqiptare, edhe baba im, Osman Balë Leci (Gmicë, 1908-Gjilan, 1999).
Familja Leci e Matoshi nga Gmica dhe Kurti nga Tugjeci, jemi vëllazër nga gjaku, pasardhës të Kolë Krasniqit, mbi 400 vjet në këto troje…
Në vitin 1878, në tokën e Hajdar Lecit vendosen disa familje, Klaiqi dhe Buca, të ndjekur nga Sanxhaku i Nishit…, pikërisht nga fshati Bucë dhe Klaiq, komuna e Lebanës.
Bucalitë, Klaiqët, Dërvodelët dhe Llapashticët janë vëllezër nga gjaku, me fis Sopi. Bucalitë i kam dajë, gjyshi im nga nana, Shaban Ramë Buca (Gmicë, 1892-Gjilan, 1970).
Dajtë e mi nga Gmica, janë vendosur në fshatin Shahiq, nuk jam i sigurt, por mendoj diku në vitin 1912.
Ndërsa, Rrahman e Fetah Klaiqi, me familje, janë vendosen në tokën e Adem Jashar Muzli Matoshi dhe, të Ibrahim Mehmet Muzli Matoshit, cili emigron në Turqi, Baba im, Osman Balë Leci, në vitin 1928, e përcjell deri në Shkup, Ibrahimin.
Tregim i Babës tim: “Kurrë në jetë nuk e harroj mërzinë e madhe që ndjeva, nuk kishte gjë më të dhimbshme se me u nda për s’gjalli, përgjithmonë me një njeri tanin, sepse at’herë kush shkonte në Turqi, nuk e shihnim më njeri tjetrin…”!
Bacin Adem Matoshi nuk e di vitin kur janë shpërngulur në Mutivodë (Babishevc) të Prishtinës, por e mbaj mend me një rast në fëmijërinë time, kur ka ardhur me kali, tek Baci Zukë Ahmet Leci, te dy moshatarë të vitit 1900.
Baci Adem ka pasur 6 djem, dy të mëdhenjtë i kam njohur personalisht, Ismajlin dhe Xhemajlin, në një dasmë në Gjermani, tek Hajrullahu i Hysenit Mehmetit Muzlisë, kur e ka martuar njeri nga djemtë, nuk jam i sigurt, Hysenin, apo Azemin.
Axha i Ademit, Mehmet Matoshi, një burrë shumë i madh, trim dhe fuqishëm, është vrarë në luftë kundër forcave serbe, në Tepe të Svircës së Kamenicës, me 1912, aty ku ishte vendosur kufiri me 1878…
Nga Hajrullah Hysen Matoshi kam mësuar se vetëm djali i vogël i Ademit jeton ende, ndërsa 5 djemtë e tij të mëdhenj kanë vdekur./Xhafer Leci/